Për tre djemtë e familjes Hoxha, dita e parë e shkollës nuk pritet me entuziazëm dhe as me dëshirën e bashkëmoshatarëve për t’u krenuar me çantën, librat apo veshjet e bukura. Endrisoni, Leorenci dhe Redioni filluan sot shkollën, të tre me orare të ndryshme mësimi.
Djali i madh në klasë të 9-të e zhvillon mësimin herët në mëngjes, fëmija i dytë duhet të shkojë në shkollë në orën 10:30, ndërsa djali i vogël në orën 11:30.
Nëna e tyre Lindita gjithë paraditen ishte e angazhuar për shoqërimin dhe pritjen e fëmijëve në shkollë. Këto orare për 40-vjeçaren janë të vështira për t’u menaxhuar.
Familja pa baba kishte halle të mëdha ekonomike, të cilat i ndiejnë edhe supet e vogëlushëve. Ata edhe këtë vit do të marrin çantën e vjetër dhe librat e grisur. Nëna e tyre, Lindita tregon se është e divorcuar dhe e vetme po përballon qiranë, faturat, ushqimin dhe nevojat që fëmijët e saj kanë. Prej më shumë se një viti, 40-vjeçarja është e papunë pas një problemi shëndetësor, dhe mban frymën gjallë vetëm me 45 mijë lekë të vjetra asistencë.
Vetë vogëlushët thonë se nëna nuk ka pasur mundësi t’u blejë mjete shkollore, rroba apo çanta të reja.
Rroba të reja, çanta dhe mjete shkollore; këto janë dëshirat e vogëlushëve.
Më i vogli prej tyre, që është vetëm 7 vjeç, thotë se nëse do të kishte mundësi do të punonte për t’i siguruar bukën nënës dhe vëllezërve të tij. Lindita bën thirrje që dikush të ndihmojnë sadopak fëmijët e saj për t’u ndjerë si bashkëmoshatarët.