Të dyja në fund kallëzuan kundërshtaren se po i prishte imazhin tek gratë e lagjes e madje se kanë dëmtuar edhe flokët e njëra-tjetrës gjatë sherrit.
Bukuria e ka një çmim. Aq më tepër kur parukieret tek të cilat je duke shkuar për t’u rregulluar ka mundësi që të zihen e të kapen për flokësh se kush do të bindë e para që të të krehë. Aq më tepër kur parukieret konkurrente kallëzojnë njëra-tjetrën, pasi përleshen dhe akuzojnë se tjetra nuk di të krehë dhe se klientët e saj janë të pakënaqur. Diçka e tillë ka ndodhur në fakt në Tiranë, ku sipas burimeve të gazetës Si, dy parukiere dhe shoqet e tyre u përleshën dhe shkulën flokët e njëra-tjetrës vetëm sepse një kliente pasi kishte dalë nga salloni i të parës kishte hyrë tek i tjetrës dhe tek secila kishte shfryrë pakënaqësi.
Sipas burimeve të gazetës Si më vonë pasi policia u kërkua që të mbërrinte në vendngjarje ju desh të dëgjonte se çfarë sekretesh kishte secila prej tyre, se cila prej tyre lyente edhe thonjtë dhe madje cila dinte ta bënte më mirë këtë gjë. Të dyja në fund kallëzuan kundërshtaren se po i prishte imazhin tek gratë e lagjes e madje se kanë dëmtuar edhe flokët e njëra-tjetrës gjatë sherrit.
Përleshja ndodhi në parukerinë e shtetases B. S, një 32-vjeçare e martuar që prej vitesh punon në sallonin e saj si parukiere. Ajo pretendon se në parukeri i hynë, një vajzë tjetër që ka të njëjtin profesion si ajo dhe dy gra. Pa i thënë asnjë fjalë ato e kapën për flokësh dhe më pas secila e mbante me radhë dhe tjetra e godiste. “Erdhi F. B dhe M.O., më kërkuan llogari pse kisha folur për to tek një kliente dhe pastaj filluan të më bien. Pak më vonë erdhi edhe e ëma D. O., filluan të më thyejnë orenditë dhe t’i hedhin përtokë. U shkëputa prej tyre dhe telefonova policinë”.
Policia e pyet parukieren se përse u sulmua dhe për çfarë dyshon ajo?
Parukierja 1: Për shkak të një klienteje. Një ditë më parë, një kliente erdhi të krehë flokët. E pyeta kush ia kishte lyer thonjtë aq keq dhe më tha emrin e parukieres tjetër. Mendoj se kjo gjë duhet ti nevrikosur, lyerja e gishtave ose fakti që klientja erdhi të krehë flokët tek unë.
Parukierja tjetër është e moshës 29 vjeç. Ajo është beqare dhe këmbëngul se është e përkushtuar ndaj klienteve. Madje edhe ndaj konkurrentes, të cilën si fillim e kishte takuar dhe puthur duke e përshëndetur me dashamirësi.
Parukierja 2: B. S. doli dhe na përshëndeti, unë isha me vajzën e hallës. U takuam, pas pak ajo filloi dhe ankohej dhe më thoshte që kishte pak kliente dhe se unë punoja shumë dhe krihja më shumë. Pastaj më tha “klientët e tu dalin të pakënaqur nga salloni dhe vijnë tek unë”.
Sipas kallëzimit dhe të parukieres së dytë ajo ishte munduar të ruante qetësinë, por më pas kur kolegia konkurrente kishte ngritur zërin dhe po e ofendonte për profesionin ato ishin kapur për flokësh. “Ne jemi mbrojtur, donim t’ia hiqnim duart nga flokët, por ajo na tërhoqi dhe na shtriu për tokë. Duke u përpjekur rrëzuam një tavolinë. Ajo kishte fyer punën time tek një kliente dhe kjo është shpifje.
Të njëjtin qëndrim mbajnë edhe gratë që e shoqëruan parukieren në sallon, por policia pohon jozyrtarisht për gazetën Si se gratë nuk janë të sinqerta dhe se ato përpara se të shqetësoheshin për lookun e klienteve, shqetësohen për paratë që ju paguajnë ato. “Përleshja e tyre është për shkak të konkurrencës”, thotë për gazetën Si një burim i komisariatit numër 3 dhe siç po kuptojmë javët e fundit “klientët” janë kthyer në mollë sherri jo vetëm mes parukierëve, por edhe shitësve dhe çdo shërbimi tjetër.
Marrë nga Gazeta “Si”