Para pak minutash publikuam një lajm në lidhje me arrestimin e 20-vjeçarit Andrea Bregu, i cili po mbahet në Komisariatin Nr.1 në Tiranë që prej datës 11.12. 2020.
Avokati Altin Goxhaj ka ngritur shqetësimin se i riu ndodhet në gjendje të rënduar shëndetësore dhe ka nevojë për ndihmë urgjente mjekësore, ndërsa shtoi se kjo gjë i është refuzuar nga mjekët dhe ambulanca ende nuk ka shkuar.
Në lidhje me lajmin ka reaguar edhe Policia e Tiranës, duke theksuar se i riu është në gjendje të mirë shëndetësore, e cila është konfirmuar para pak minutash nga mjeku i DVP Tiranë.
Sqarim i Policisë Tiranë
Në lidhje me një lajm të publikuar në rrjetet sociale se shtetasi me iniciale A.B., 20 vjeç, është në gjendje të rëndë shendetësore në ambientet e Komisariatit të Policisë Nr.1 ju sqarojmë se: Shtetasi A.B., 20 vjeç, i arrestuar me datë 11.12.2020,
për veprat penale "“Organizimi dhe pjesëmarrja ne grumbullime e manifestime të paligjshme”, “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”, “Prishja e qetësisë publike”, “Shkatërrimi i pronës me zjarr” dhe
”Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik” dhe ‘’Mbajtja dhe përdorimi i lëndëve plasëse dhe piroteknike’’ ndodhet në gjendje të mirë shendetësore, kjo e konfirmuar para pak minutash nga mjeku i DVP Tiranë si dhe në prezencë të dy përfaqësuesve të avokatit të popullit.
DVP Tiranë kërkon mirëkuptimin e medias që të mos publikojnë lajme të pakonfirmuara dhe fton qytetarët që të denoncojnë çdo rast të paligjshmërisë në Komisariatin Dixhital apo në numrin pa pagesë 112, duke u siguruar reagim të shpejtë e të paanshëm, kundrejt atyre që shkelin ligjin dhe cenojnë jetën e qytetarëve.



