Një ngjarje e pazakontë ka ndodhur në Kosovë, në Klinikën e Ortopedisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
Ashtu siç raporton Gazeta Express, gjatë ditës së sotme në QKUK është ndalur energjia elektrike, duke ‘paralizuar’ edhe punën e bluzave të bardha.
Teksa në spital janë shkëputur papritur dritat, punonjësit shëndetësorë kanë qenë në sallën e operacionit dhe janë detyruar që të përfundojnë punë me telefon. Ortopedi në këtë klinikë, Sami Delijaj, ka treguar për Express se ngjarja ka ndodhur sot rreth orës 09:30
“Unë kam qenë sot në sallë të operimit. Rreth orës 09:30 është ndërprerë energjia elektrike. Ne nuk kemi pas ndonjë problem, e kemi pas nën kontroll gjendjen. Nuk është mirë të ndalet energjia, por ne e kemi kryer operacionin me sukses”, ka thënë ai.
Ndërsa nuk ka treguar detaje të tjera lidhur me operacionin dhe për sëmundjen nga e cila vuante pacienti.