Një çift të cilët në shkollën fillore u ndanë dhe për më shumë se shtatë dekada nuk u pane, janë ribashkuar gjatë pandemisë së koronavirusit dhe tani po martohen, shkruan CNN.
Historia e dashurisë së tyre daton 68 vite më parë, kur Fred Paul dhe Florence Harvey u takuan për herë të pare.
Dyshja u takuan kur ishin adoleshentë në Wandsworth, qytet i vogël në Newfoundland të Kanadasë. Ata kaluan çdo moment pranë njëri-tjetrit, nga ecjet pas meshës, e deri te vjedhja e puthjeve në orët e mësimit.
Çdo natë gjatë lidhjes së tyre dyvjeçare, Paul ndizte baterinë e dorës për t’i shkuar pranë shtratit për t’i thënë natën e mirë.
“Ishte dashuria ime e parë. E dashura ime e parë dhe dashuria ime e vërtetë”, ka thënë Paul tani 84-vjeç i cili gjatë një interviste dhënë për CNN tregoi detaje të lidhjes së tyre.
Por kur Paul mbushi 18 vjet, e Harvey ishte 15, dyshja ndanë rrugët. Paul u zhvendos në Toronto për të vazhduar me punë, e një vit më vonë, kur u rikthye për të, Harvey tashmë ishte larguar në një qytet tjetër.
Fati deshi që ata të mos takohen dhe të martohen me persona tjerë dhe të krijojnë familje. Por, gjithçka ndryshoi në vitin 2017, kur Harvey mbeti sërish beqare, pasi bashkëshorti Len ndërroi jetë nga kanceri.
Dyshja ishin të lumtur gjatë martesës së tyre prej 57 viteve dhe kanë pesë fëmijë së bashku. Dy vite më vonë, gruaja e Paul, e cila ishte afro 60-vjeçe, gjithashtu ndërroi jetë pasi vuante nga sëmundje të ndryshme. Edhe ata kishin dy fëmijë dhe bënin jetë të lumtur.
Pikërisht humbjet që i përjetuan bënë që dyshja sërish të ribashkohen. Kur Harvey dëgjoi se gruaja e Paul ndërroi jetë, i telefonoi për t’i shprehur ngushëllime.
Gjatë bisedës së tyre të parë, që ndodhin në festën e Shën Valentinit, ata diskutuan për jetën e tyre larg njëri-tjetrit, fëmijët, nipat e mbesat.