“Më thuaj një dëshirë” ka sjellë në ekran këtë të shtunë tre histori frymëzuese, mes të cilave atë të Deslit, një 13-vjeçar që dëshironte që gjyshja e tij, Remzia, të buzëqeshte si më parë.
Gjyshe Remzia, humbi bashkëshortin para një viti dhe që prej asaj kohe nuk dilte më nga shtëpia dhe dëgjonte vetëm lajmet. Surpriza e kërkuar nga Desli emocionoi jo vetëm gjyshe Remzien, por edhe pjestarët e tjerë të familjes të cilët ishin në dijeni të dëshirës dhe u bënë bashkëpunëtorë me stafin e programit “Më thuaj një dëshirë”.
Në shtëpinë e gjyshes u instaluan disa kamera të fshehta dhe në ekranin e televizorit nisi të shfaqej një edicion i ‘jashtëzakonshëm’ informativ, ku nga studioja e lajmeve, gazetari Ilir Paço, bëri të ditur dëshirën e Deslit për gjyshen e tij.
Kaq mjaftoi që gjithë familja të shpërthente në lot dhe gjyshe Remzia mos të kontrollonte dot emocionet e forta. Dëshira e Deslit u realizua plotësisht kur gjyshja doli nga shtëpia pas shumë kohësh dhe shkoi në teatër, ku një grup muzikantësh mes të cilëve Desli, e emocionuan me sonatën e saj të preferuar.