Partia Socialiste dhe Partia Demokratike kanë dorëzuar mbrëmjen e së hënës vonë listat e tyre me kandidatët për deputetë në zgjedhjet e 25 prillit.

Ndërsa nuk munguan debatet, PS i dorëzoi 160 emrat e propozuar në KQZ në minutat e fundit të mbylljes së afatit ligjor. Edhe PD, e miratoi listën e saj me 140 kandidatë për deputetë në KQZ, pasi u miratua pak para mesnatës nga Këshilli Kombëtar i partisë.

Ndërkohë, subjektet politike që kanë dorëzuar listat e tyre në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve janë:

PARTIA SOCIALISTE – EDI RAMA
PARTIA DEMOKRATIKE -LULZIM BASHA
LSI -MONIKA KRYEMADHI
PLDSH – MYSLYM MURRIZI
LËVIZJA PËR NDRYSHIM – JOZEFINA TOPALLI
NISMA THURJE – RUDINA HAJDARI, ETJ.
BINDJA DEMOKRATIKE – ASTRIT PATOZI
BALLI KOMBËTAR – ADRIATIK ALIMADHI
LRE – ARJAN GALDINI
PSD- TOM DOSHI
ABEOK – KUJTIM GJUZI, ETJ.
ADR -EDMOND STOJKU
Ajo që ra në sy në listën e dorëzuar nga PS, ishte radhitja shumë poshtë në listë e Pandeli Majkos. I vendosur nga kryeministri Edi Rama në vendin e 19-të për qarkun e Tiranës, Majko mbeti i pakënaqur dhe pas debatit në Kryesinë e PS-së nuk e pranoi vendimin. Të tjerë “të vjetër” që u vendosën poshtë në listë ishin Fatmir Xhafaj e Mimi Kodheli që mbajnë përkatësisht numrin 23 dhe 21, ndërsa Ditmir Bushati nuk figuroi askund.

Nga ana tjetër, pavarësisht reagimeve e thirrjeve të bëra disa herë nga ambasadorja amerikane Yuri Kim, në lista është edhe Tom Doshi, i cili do të kandidojë në Tiranë dhe në Shkodër për zgjedhjet e 25 prillit.

Edhe PSD, partia e drejtuar nga Engjëll Bejtja i dorëzoi listat e kandidatëve pak përpara se të përfundonte afati.

Në muajt që lamë pas, diplomatja amerikane ka bërë disa herë thirrje që emra si Tom Doshi nuk duhet të jenë në listën e kandidatëve në zgjedhje ndërsa theksonte se “votuesit shqiptarë meritojnë më shumë”. Kurse, departamenti Amerikan i Shtetit e vendosi Doshin në “listën e zezë”, duke i ndaluar hyrjen në SHBA.