Pjesë e rubrikës “Ka një mesazh për ty” tek E Diela Shqiptare ka qenë Blerta, një vajzë 21 vjeç e cila tregoi se ka pasur një histori të vështirë. Asaj i janë ndarë prindërit kur ishte 2 vjeç dhe ka jetuar me gjyshërit nga ana e të atit. Blerta me të vëllain nuk ka pasur kurrë një marrëdhënie të mirë dhe të ngrohtë me të atin dhe gjithmonë kanë qenë të distancuar nga motra dhe vëllai që lindën nga martesa e dytë. Blerta tregon se në vitin 2014 filluan të jetonin me babain dhe familjen e tij, por pas një viti ata kanë kaluar në një dhomë më vete që të mos i bëheshin barë.
Ardit Gjebrea: Çfarë ndodhi gjatë kësaj periudhe që jetuat me babin?
Blerta: Disa muaj pasi shkuam tek babi unë e shkëputa shkollën, e lashë përgjysmë sepse nuk mundesha të shkoja dot. Fillova të bija nga mësimet. Isha shumë nxënëse e mirë, por nuk e di, ndoshta shkëputja nga gjyshja, por rashë goxha nga mësimet. Rrija në shtëpi, ndihmoja vëllain dhe motrën të bëheshin gati të shkonin në shkollë, pastaj punët e shtëpisë. Kur ktheheshin pasdite i ndihmoja me detyrat.
Ardit Gjebrea: Po me nusen e babait çfarë marrëdhënie kishe?
Blerta: Të mira, normale. Nuk bënte përbuzje apo diçka.
Ardit Gjebrea: Kur shkonit shkëlqyeshëm, pse dolët shtëpi më vete?
Blerta: Po ashtu u vendos, të bëheshim më të zotët dhe ia dola. Pasi u shkëputëm nga babi, xhaxhai im ngriti një serë dhe në fillim ai më mori në punë edhe për të më mësuar dhe më jepte lekë, pastaj fillova të punoj edhe nëpër lagje.
Ardit Gjebrea: Lekët i mbaje vetë?
Blerta: Jo në fillim kur kam punuar tek xhaxhi, kam qenë akoma me babin dhe lekët ia jepja nënës 2, njerkës, pastaj kur u ndamë ia jepja gjyshes.
Blerta tregon se është e martuar dhe tani ka një djalë të vogël. Ajo shprehet se nuk bëri një dasmë si të gjithë dhe gjyshes së saj i ka ngelur një peng. Ajo donte që ta nxirrte nuse nga shtëpia e saj, por kjo gjë nuk u realizua sepse dasmën ia bëri vjehrri, u vesh aty nuse. Mami i saj nuk erdhi në dasmë sepse nuk donte të krijonte konflikte e keqkuptime me familjen e të atit.
Ajo ka sjellë sot gjyshen për ta falenderuar për çdo gjë që ka bërë për të dhe për pengun që nuk e nxori dot nuse nga shtëpia. Ajo i premton gjyshes publikisht se së shpejti do bëjë një videoklip me fustan nusërie dhe do shfrytëzojë këtë rast për të dalë nuse nga shtëpia e saj. /tvklan.al