Emocionuese!!!
Suela kishte ftuar sot në “Ka një mesazh për ty”, miken e saj të ngushtë Milenën. Milena, është një nënë e vetme, e cila ka humbur bashkëshortin në moshë fare të re, duke ndërprerë në mes ëndrrën e tyre për një familje të madhe. Suela e ka ftuar miken e saj për t’i thënë që ajo nuk është e vetme përballë jetesës si një grua e ve dhe se do të ketë gjithmonë mbështetjen e saj si edhe i kërkon të qëndrojë e fortë. Suela është modeli i një mikeje të vërtetë dhe të përkushtuar. Milena, nga ana tjetër është mishërimi i gruas dhe nënës luftarake, që pavarësisht sfidave të shumta ajo përballon çdo betejë me dinjitet.
Suela: Unë jam Suela, me Milenën njihemi që prej viteve të universitetit. Historia e Milenës është një histori pak e dhimbshme. Milena bashkë me Gentin lindin fëmijën e tyre të parë, ishin shumë të lumtur. Ata kishin ëndërruar gjithmonë të kishin shumë fëmijë. Ata donin të paktën gjashtë fëmijë. Takohemi me një grup nënash me fëmijë të vegjël dhe Milena vjen me ëmbëlsira në duar. Ne menduam se ajo po na gostiste me ëmbëlsira me rastin e ardhjes në jetë të vajzës së tyre, Dea, por ajo në fakt na tha se ishte sërish shtatzënë.
Edhe ne ishim shumë të lumtura për të. Kalojnë ditët, muajt dhe unë takohem me Milenën në ditët e fundit të shtatzënisë së saj. Ajo më tha se duhej të kishte lindur por nuk dinte arsyen pse shtatzënia e saj ishte shtyrë. Bashkëshorti i saj Genti e dërgon atë në maternitet dhe mjekët i thonë që ajo duhej të lindte me operacion të nesërmen. Milena i kërkon Gentit që t’i premtojë se në rast se gjërat nuk shkojnë siç duhet dhe Gentit do t’i duhej të vendoste mes jetës së Milenës dhe bebes së tyre, ai të zgjidhte djalin.
Suela tregon momentin tragjik që ndryshoi jetën e mikes së saj:
Genti i kërkon mamasë së tij që të qëndrojë në shtëpi me vajzën e vogël 10-muajshe Dean, pasi ai do të ishte të nesërmen në maternitet me Milenën. E ëma vjen në shtëpi, hap derën me çelësin e saj duke menduar se vajza do të ishte në gjumë por gjen Gentin të shtrirë pa jetë.
Ata morën vendimin që varrimi të bëhej të nesërmen, pa ia thënë Milenës.
Suela tregon me emocionesh se ky ka qenë një peng që e ka shoqëruar Milenën përgjatë gjithë jetës, fakti që ajo nuk i dha dot lamtumirën të shoqit.
Ata duheshin me një dashuri të veçantë, Genti i mbante sytë gjithmonë nga e shoqja. Ishte tepër i dashuruar dhe i pasionuar pas saj.
Me gjithë dhimbjen e madhe që ajo ndjente, mikja e Milenës tregon se ajo mblodhi forca për të vënë situatën nën kontroll. Ajo u shndërrua në nënë dhe baba për fëmijët e saj, duke i bërë çastet e tyre të gëzueshme dhe duke ngulur në mendjet e tyre kujtimin e bukur për të atin.
Ardit Gjebrea: Ndërkohë unë di që ajo ka një zemër të madhe? Dhe me gjithë vështirësitë për të rritur fëmijët e saj ajo ka menduar edhe për fëmijë të tjerë?
Suela: Përpara gati dy vjetësh Milena përfshihet në skemën e kujdestarisë së fëmijëve. Ajo përveç fëmijëve të saj merr në kujdestari edhe një fëmijë tjetër.
Unë sot e kam thirrur Milenën sepse dua t’i jap kurajo për të vazhduar, ashtu siç ka qenë deri tani, e qeshur, e fortë, punëtore…e dashur me fëmijët dhe të vazhdojë jetën.
Stafi i “Ka një mesazh për ty”, fton Milenën në studio. Ajo e pranon ftesën me kënaqësi dhe njëkohësisht me shumë kërshëri për të zbuluar kush është personi që i ka bërë asaj një surprizë.
Milena, me një buzëqeshje të ëmbël dhe pamje fisnike mbërrin në studion e së dielës shqiptare.
Kur ajo zbulon se është ftuar nga mikesha e saj Suela nuk mund ta fshehë habinë: Është një nga personat e mi të afërt, por nuk mendoja se do të zgjidhte televizionin për të më bërë një surprizë ose për të më thënë çfarë do që ka për të më thënë.
Mesazhi i Suelës në studio: Zemra ime, të kam dashur gjithmonë dhe do të të dua për shumë gjatë. Të kam vlerësuar gjithmonë sepse ke qenë një grua e fortë. Kam vlerësuar shumë forcën, se si ke përballuar të gjitha sfidat e tua të jetës. Për mënyrën si je kujdesur për fëmijët e tu dhe kjo patjetër që buron vetëm nga një zemër e madhe si e jotja.
Milena: Di që Suela është një nga njerëzit që e ka përjetuar humbjen e Gentit si të ishte vëllai i saj. Sa herë flasim për Gentin dhe për vështirësitë si e ve, ajo qan bashkë me mua dhe i ndjen situatat si nën lëkurën e saj.
Ardit Gjebrea: Ka momente Milena që dorëzohesh?
Milena: Ka, në gjithë këto vite ka pasur momente kur kam thënë as nuk dua më të vazhdoj. Humbja e Gentit ka qenë e papritur e pamenduar, ka qenë një “mirupafshim” që nuk ia kam dhënë kurrë Gentit, duke qenë se isha në maternitet të lindja djalin. Janë shumë gjëra me të cilët përballohet çdo grua e ve, mentaliteti, edukimi i fëmijëve dhe sigurisht ka momente kur unë dorëzohem.
Ardit Gjebrea: Duke qenë e lodhur dhe me dy fëmijë, cili ishte momenti që të bëri të vendosësh që të kujdesesh edhe për nje fëmijë tjetër?
Milena: Me Gentin, kishim shumë plane. Një nga plane që kishim ne, ishte krijimi i një familje me shumë fëmijë. Kur vdiq Genti, të dy fëmijët erdhën, Dea me Aronin, që janë dhuratë e paimagjinueshme. Por unë vendosa që planet dhe ëndrrat që kishim të dy, t’i realizoja e vetme. Unë vendosa që t’i përfshi të dy fëmijët e mi në planet tona dhe vendosëm që të merrnim një fëmijë tjetër nga jetimorja.
Pjesa e parë përfundoi me premtimin që Milena i dha mikes së saj të shtrenjtë Suelës, për të vazhduar duke qëndruar e fortë përballë sfidave. I ftuar si pjesë e këtij mesazhi ishte edhe një nga këngëtarët e preferuar të Milenës dhe fëmijëve të saj Flori Nazifi. Milena shpjegon se ata të tre pëlqejnë këngën e prezantuar në “Kënga Magjike”, “Mos ik”, duke qenë se teksti ishte shumë domëthënës për ta.
Në fund këngëtari i mirënjohur Flori Nazifi përcjell edhe një mesazh: Në fakt për mua është emocion shumë i madh, të jem këtu sot për ju. E ndoqa historinë edhe jam shumë i prekur. Në të gjithë këtë histori të trishtë, plot dhimbje, unë mendoj se ti ke pasur një shpatull ku të mbështesësh kokën dhe ai është Jezusi. Unë besoj se ti do t’ia dalësh gjithmonë.