Deputetja e Ps-së Blerina Gjylameti gjatë një intervistë me moderatorin e njohur Ardit Gjebrea, në rubrikën “Gjysma ime” tek E Diela Shqiptare ka folur për herë të parë për një moment tepër të vështirë të jetës së saj. Brenda një harku kohor prej një viti ajo humbi motrën dhe vëllain e saj, dy tragjedi njëra pas tjetrës, që për deputeten ishte periudha më e keqe e jetës së saj.
Ardit Gjebrea: Për fat të keq edhe ti ke përjetuar momente të vështira në jetë. Në harkun kohor të një viti ti ke humbur dhe vëllain dhe motrën, si ka ndikuar kjo tek ty?
Blerina Gjylameti: Sa herë që humb një jetë, kur është larg fillon dhe reflekton, kur të ndodhë tek njerëzit e tu të dashur, njerëz të cilët në rastin e motrës unë e kam pasur larg si çdo familje shqiptare që janë të shpërndara kudo në botë. Ndodhi një humbje jete në një kohë shumë të shkurtër, kur unë e rigjeta tek rinim afër, kur ndërkohë që humbi jetën, e njëjta gjë me vëllain.
Ardit Gjebrea: Motra jetonte në Greqi?
Blerina Gjylameti: Jetonte në Greqi, ka dy djem të mrekullueshëm, Anxhelo dhe Oresti dhe në një periudhë shumë të shkurtër ajo humbi jetën nga një sëmundje e pashërueshme. Duke qenë një fizik i fortë, nuk kishte kuptuar se çfarë po ndodhte me të. Ndërkohë me tim vëlla ndodhi e njëjta gjë, ndodhi në një periudhë shumë të shkurtër, në 45-vjetorin e lindjes së saj, ku ai humbi jetën.
Ardit Gjebrea: Sa vjeç ishte vëllai?
Blerina Gjylameti: Vëllai ishte 37 vjeç dhe me vëllain unë kam patur një lidhje shumë të fortë, e kam patur si djalin tim më shumë se sa vëlla. Jam kujdesur për të pafund, ka qenë i vogli, unë kam qenë vajza e tretë. Për mua dhe për Kostën ai ka qenë krahu i djathtë në çdo gjë dhe ndërkohë edhe ne për të e njëjta gjë. Kur ndodhi ajo gjë me tim vëlla, realisht mua mu përmbys bota, me motrën unë e gjeta forcën sepse duke menduar që duhet të isha e fortë për fëmijët e saj dhe për faktin që do bëhesha nënë unë për ta, sidomos për Orestin që ishte në një moment shumë të vështirë dhe ishte adoleshent. Kur ndodhi ajo me tim vëlla mua mu përmbys bota.
Nuk dija ku të kapesha për të ecur përpara, por në anën tjetër unë jam natyrë e fortë dhe gjithmonë kam menduar se duhet të jesh i fortë. Nëse më përpara kisha përkushtim edhe në disa gjëra që më dukeshin dytësore, por ndërkohë që përkushtimin e kisha njësoj, tashmë kam filluar të shikoj çdo moment të ditës se si mund ta kaloj me njerëzit që dua dhe më duan sepse në fund e kupton që jeta është kaq shumë e shkurtër dhe momentet që mund të kalosh me të, mund të të mungojnë një ditë. /tvklan.al