Të dashurosh do të thotë të krijosh një lidhje të fortë ndjenjash dhe besimi, jo vetëm me personin e zemrës, por gjithashtu dhe me familjen e tij/saj.
Një lidhje dashurie jo vetëm që bashkon dy persona, por bashkon dhe dy familje nën një çati. Por jo çdo histori dashurie gjithmonë ka një fund të lumtur, ka dhe raste kur familjet nuk e pranojnë lidhjen dhe ndërhyjnë duke e ndarë çiftin përfundimisht. E tillë ishte dhe historia e Stiljanos që u trajtua mbrëmjen e sotme në programin “Dua të të bëj të lumtur”.
Stiljano në studion e emisionit rrëfeu historinë e ndaluar të dashurisë midis tij dhe Ersoneldës, vajza e cila i kishte rrëmbyer zemrën djalit nga Vlora. Historia e dashurisë midis Stiljanos dhe Ersoneldës kishte nisur disa vite më parë. Ata ishin njohur me njëri- tjetrin që në fëmijëri, pasi familjet e tyre jetojnë në të njëjtin fshat të Vlorës. Me kalimin e viteve Stiljano dhe Ersonelda ishin njohur më shumë dhe kishin nisur pëlqimet midis tyre. Ata pas 1 viti lidhjeje kishin vendosur që të fejoheshin dhe u kishin treguar familjarëve të tyre.
Fatkeqësisht Ersonelda disa vite më parë kishte humbur prindërit për shkak të një aksidenti dhe për të, motrën, vëllain e saj ishin kujdesur gjyshërit. Pikërisht ishin po gjyshërit e Ersoneldës të cilët e kishin ndaluar atë që të vazhdonte lidhjen me Stiljanon duke i ndarë ata përfundimisht. Arsyeja që gjyshërit jepnin ishte se Stiljano dhe Ersonelda ishin kushërinj dhe prandaj nuk mund të kishte kurrë diçka midis tyre.
Nga ana tjetër, Stiljano e hodhi poshtë këtë argument duke thënë: Unë dhe Ersonelda nuk jemi kushërinj të afërt. Jemi kushërinj shumë të largët. Madje familja ime më ka thënë që mund të jemi kushërinj, por shumë po shumë të largët. Nëse do ishim të afërt atëherë dhe prindërit e mi nuk do më lejonin që të vazhdoja këtë histori dashurie.
Stiljano kishte zgjedhur programin “Dua të të bëj të lumtur” si një urë komunikimi me Ersoneldën, por dhe gjithashtu për të vendosur përfundimisht se çfarë do të ndodhë me historinë e tyre të dashurisë. “Ersonelda të kam sjellë këtu për të të thënë që nuk më intereson aspak se çfarë thonë të tjerët, unë të dua ty. Prandaj dua që dhe ti të vendosësh se çfarë do bëjmë!”,- ishte mesazhi i Stiljanos për Ersoneldën.
Ersonelda nga ana tjetër e ekranit rrëfeu se ishte tepër e pavendosur dhe se ishte nën një presion tepër të madh, si nga familja e saj si dhe nga dashuria që ndjente për Stiljanon. Pikërisht në këto momente, kur Ersonelda po tregonte historinë, Stiljano e ndërpreu dhe i propozoi për martesë, por në prapaskenë ndodheshin familjarët e saj, të cilët u acaruan dhe tentuan të hynin me dhunë në skenë…