Vajzat e ekipit “Vllaznia” të futbollit për femra, të ftuara në emisionin “Historia Ime” në “Tv Klan” rrëfejnë edhe momente që për to, pavarësisht vështirësisë, i quajnë arritje.
Portierja e skuadrës ka zhvilluar ndeshje gjatë shtatzënisë, duke marrë parasysh rrezikun, por edhe dëshirën për mos të braktisur skuadrën në momentet kur kishte nevojë për të.
Mirela Milori: Çfarë pozicionesh keni në fushë?
Ardjola Rrahmani: Unë jam portiere.
Mirela Milori: Ti je portierja. Po ai bebi që është tek bluzja jote?
Ardjola Rrahmani: Ky është djali im.
Mirela Milori: Sa është?
Ardjola Rrahmani: 4 muajsh e gjysmë. Unë jam ajo vajza që ka luajtur futboll edhe shtatzënë, edhe me bebin në fushë.
Mirela Milori: Shtatzënë dhe portiere, më shpjego pak, nuk kishe frikë ti?
Ardjola Rrahmani: Shumë frikë, të them të drejtën, por mendova që është më mirë të luaj se unë jam portierja e ekipit dhe duhej ta ndihmoja skuadrën.
Mirela Milori: Nuk kishe frikë ndonjë top, ndonjë gjë?
Ardjola Rrahmani: Kisha frikë, të them të drejtën, por faleminderit Zotit që ajo ndeshje shkoi shumë mirë dhe kam falenderuar shumë herë stafin dhe vajzat që më kanë ndenjur afër dhe më kanë ndihmuar shumë herë që mos të kisha përplasje. Falenderoj Zotin që ka dalë kjo mrekullia.
Ndërkohë, sulmuesja, Megi Doçi, ka shënuar mbi 500 gola vetëm gjatë kampionatit, ku vajzat arritën edhe të triumfonin sërish.
Mirela Milori: Kush është më shumë golashënuese?
Futbollistet: Megi.
Mirela Milori: Sa, sa gola ke shënuar?
Megi Doçi: Para dy javësh, gazetari ynë, po ashtu edhe i klubit që merret me statistikat, ka nxjerrë një shifër që kam kaluar 500 gola para dy javësh vetëm në kampionat dhe të them të drejtën, ishte një emocion i veçantë sepse nuk e dija fare, ishte një surprizë për mua. Duhet të falenderoj stafin teknik e drejtues, gjithashtu edhe shoqet e grupit, sepse pa këto nuk do të ishte e mundur. Është një punë shumë e gjatë që bëhet deri te pjesa për të arritur të shënoj gol. /tvklan.al