Në panairin e artizanëve I cili është hapur prej dy ditësh në Shkodër, gjen punime e histori nga më të ndryshmet.
Margertita Nikaj është edukatorja e cila pasionin për qëndisjen e ka të ushqyer prej të paktën 20 vitesh.
Ajo nuk e mendonte se do të vinte dita që ky pasion I hershëm I saji të kthehej në një profesion të dytë. Sot, ajo merret me punimin kryesisht të çantave me grep. Ndërsa nje punim I ri dhe unik për nga cilësia e punimit mbeten çantat me materialet e thesit.
Qëndisjen e ka mësuar nga gjyshja dhe mamaja e saj, por nuk lë pas as profesionin e të atit si rrobaqepës, I cili ka ndikuar në kultivimin e këtij pasioni tek Margerita.
Shumë prej materialeve, Margerita I siguron nga Italia pasi kërkon që klientëve të saj t’I ofrojë cilësinë më të mirë të çantave.
Aktivitetin e saj e ka nisur para se të përhapjes pandemia. Për Margeritën, një sipërmarrje e re në një periudhë ku të gjithë po përballeshin me probleme ekonomike ishte një sfidë, prej të cilës doli e kënaqur pasi biznesi I saj është më I zgjeruar sot. Pjesëmarrja në panairin e artizanëve ishte një reklamë e mirë thotë ajo.
Margerita këtë pasion të qëndisjes tashmë ia ka trashëguar edhe së bijës, ndërsa shpreson që ajo të bëhet një qëndistare tepër e zonja.