Të burgosurit e burgut të Zahasisë që vuajnë dënimin në këtë godinë kanë nisur të transferohen drejt Shënkollit ku dy blloqe janë rikonstruktuar dhe përshtatur për këtë kategori.
Ky proces do të zgjasë përgjatë dy ditëve në vazhdim duke bërë që në datë 29 nëntor burgu i Zaharisë të mbyllet. Pak javë më parë ministri i Drejtësisë Ulsi Manja bëri me dije se rreth 200 persona që mbahen të izoluar në këtë godinë do të transferohen në Shënkoll nën administrimin e Ministrisë së Shëndetësisë.
Në burgun e Zaharisë vuajnë dënimin të burgosurit që kanë probleme të shëndetit mendor ndërsa vendimi për mbylljen e tij është marrë për shkak të kushteve të këqija. Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja ka inspektuar sërish sot në mëngjes ambientet ku do të akomodohen pacientët e Zaharisë, duke parë nga afër kushtet dhe masat e marra.
Sipas tij qëndrimi i këtyre personave në këto ambiente do të jetë një fazë kalimtare, derisa ata të merren përfundimisht nën përkujdesje nga Ministria e Shëndetësisë në një institucion totalisht të përshtatur për problematikat e këtyre personave.
“Premtuam që Zaharia do mbyllej brenda nëntorit dhe e mbajtëm. Është ditë e bukur, pavarësisht shiut. Falënderoj të gjitha stafet e angazhuara, sidomos ato të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, të IEVP Zahari dhe IEVP Shën Koll për angazhimin e tyre fizik e human edhe në ditët e pushimit, në trajtimin dhe sistemimin e këtyre personave në ambientet e rikonstruktuara të Lezhës”, ka thënë Manja.