Trafikantët shqiptarë kanë gjetur një tjetër mënyrë për të transportuar emigrantë të paligjshëm drejt Britanisë së Madhe.
Tashmë ata po përdorin rrjetin social “Tik-Tok” ku njoftojnë për kalimet drejt Britanisë kundrejt pagesës 20 mijë paund.
Gjithashtu, mafia shqiptare e përdor Tik-Tokun për të reklamuar ‘biznesin’ e tyre teksa shkruajnë; “Udhëtimi i fundit këtë vit për të takuar Mbretëreshën në Angli. Udhëtim i sigurt brenda kokës së kamionit. 100% i sigurt. Për më shumë DM.” Në një postim tjetër në 21 dhjetor, shkruhej;
Udhëtim gati për në Angli për vetëm 24,000 paund”, Apo thirrje të tjera si: ‘Udhëtim i sigurt për në Angli para Krishtlindjeve. Na kontaktoni shpejt.’, shkruan media angleze, Daily Mirror.
Policia angleze kontaktoi TikTok, Facebook, Instagram, YouTube dhe Tëitter për të rënë në gjurmët e këtyre grupeve kriminale.
Në prag të Krishtlindjeve rreth 150 refugjatë, përfshirë fëmijë dhe një foshnjë, u kapën në Kanalin Anglez pak para mesnatës.
Ministri i Emigracionit Tom Pursglove duke folur për përdorimin e rrjeteve sociale nga grupet kriminale theksoi se; “Trafikantët e përdorin median sociale për të tërhequr, promovuar dhe përfituar nga kalimet vdekjeprurëse në drejtim të Britanisë së Madhe, por ne jemi të vendosur t’i ndalojmë”.
Personave që tentojnë të kalojnë me kamion u kërkohet të paguajnë me para në dorë. Ata ëndërrojnë për një jetë më të mirë, por rreziqet janë jashtëzakonisht të larta – siç ishte edhe rasti tragjik i vitit 2019, kur 39 refugjatë vietnamezë vdiqën në pjesën e pasme të një kamioni në Essex të Britanisë së Madhe.