Policia ka shoqëruar rreth 20 protestues, mes tyre reperin Arkimed Lushaj(Stresi) lidhur me demonstratën që zhvilluan sot demokratët për largimin e Lulzim Bashës nga drejtimi i PD-së.
Ata akuzohen për nxitje të veprimeve të dhunshme, por Stresi e ka mohuar këtë përmes një statusi në rrjetet sociale. Reperi njihet si simpatizant i ish-liderit Sali Berisha dhe ka marrë shpesh herë pjesë në protestat e opozitës.
Dhe pse kanë kaluar më shumë se dy orë nga përfundimi i protestës, ende nuk ka një njoftim për personat e shoqëruar dhe emrat e tyre. Ndërkohë grupi hetimor vazhdon me mbledhjen e provave në selinë blu, e cila u bë skenë krimi.
Berisha paralajmëroi të tjera protesta, teksa u largua ditën e sotme nga selia blu. Protesta e sotme u shoqërua me tensione dhe dhune. Mbështetësit e Berishës hapën dyert e selisë dhe tentuan të hynin brenda, ndërsa përkrahësit e Bashës iu përgjigjën me gaz lotësjellës.
Më pas në selinë blu shkoi policia, e cila shpërndau turmën me gaz lotësjellës. Ajo bëri me dije se ishte thirrur nga drejtuesit e PD-së. Ndërkohë dëmet, si jashtë dhe brenda selisë janë të konsiderueshme.