Ditën e premte, KQZ nuk e pranoi regjistrimin e Foltores në zgjedhjet e 6 marsit me vulë e logo “PD”, futur prej Sali Berishës në koalicionin partiak me LSI-PDK, për shkak se nuk janë simbole zyrtare përfaqësuese të PD-së.
U konstatua, se stampa e vulës dhe logos që dorëzoi Sali Berisha në KQZ janë false, mbasi nuk janë të miratuara nga gjykata dhe nuk figurojnë në regjistrin e partive politike, për rrjedhojë nuk njihet as lëvizja Foltore që prezantohet sikur është “PD”-ja.
Mjafton kaq, që KQZ të çojë kallëzim penal në organet e drejtësisë, për falsifikimin dhe mashtrimin që ka bërë deputeti “non grata” Sali Berisha, duke paraqitur dokument me vulë e logo false partie, me qëllim përfitimin e regjistrimit në zgjedhjet e 6 marsit.
Veprimi i Sali Berishës, është vepër penale e parashikuar nga neni 190 i Kodit Penal, me këtë përcaktim: “Falsifikim ose përdorimi i vulave, i stampave, i formularëve të falsifikuar apo paraqitja e rrethanave të rreme në këto të fundit, që u drejtohen organeve shtetërore”.
Sipas ligjit, kjo vepër penale dënohet nga 6 muaj deri në 4 vjet burg kur është kryer vetëm, ndërsa kur është kryer në bashkëpunim dhe më tepër se 1 herë, dënohet 5 muaj deri 5 vite burg.
Pikërisht këtë falsifikim ka bërë Sali Berisha, duke dorëzuar në KQZ, formular dhe kërkesë me vulë e logo të PD, kur Foltorja nuk është PD-ja ligjore dhe ai nuk është kryetar, deputet, anëtar apo përfaqësues i autorizuar i kësaj partie.
Madje e ka bërë në bashkëpunim me një grup deputetësh si Flamur Noka, Abana Vokshi, Belind Këlliçi e Tritan Shehu dhe e ka përsëritur 4 herë: Herën e parë, me shkresën dërguar Gjykatës së Tiranës, për t’u regjistruar si kryetar i PD; dy herë me shkresat drejtuar Policisë së Tiranës për lejen e protestave të 20 dhjetorit 2021 e 8 janarit 2022, ndërsa herën e katërt drejtuar KQZ-së me shkresën për regjistrim si koalicion “Shtëpia e Lirisë”.
A do veprojë SPAK ndaj Sali Berishës, për ta marrë të pandehur, ta hetojë e ta çojë para gjykatës, për veprën penale “Prodhim dhe përdorim të vulave, stampave e formularëve të falsifikuar dhe paraqitje të tyre në organet shtetërore”?
Shefit të SPAK, i kujtojmë faktin që për veprën penale “Mashtrim të dhënash e falsifikim me formularët”, u është hequr mandati 8 deputetëve, mes tyre Koço Kokëdhimës, Ilir Beqjes e Aqif Rakipit, ndërsa ish-kryeprokurori Adriatik Llalla u dënua 2 vite burg./Pamfleti



