Disa vite më parë Aida u shpërngul nga Mallakastra në Tiranë për të përmirësuar cilësinë e jetës së familjes dhe vetes së saj.
Me profesion mësuese e ciklit parashkollor, ajo mori djalin e saj të vogël duke lënë pas vajzën dhe bashkëshortin, për të cilët shpresonte të vinin së shpejti pranë saj. Në historinë që ajo rrëfen në “Ka Një Mesazh Për Ty” nga “E diela shqiptare” në Tv Klan protagoniste është ish-shefja e saj, Violeta.
Siç rrëfen Aida, që në takimin e parë me të ndieu një kimi që do ta shoqëronte përgjatë gjithë kohës që Violeta do të ishte e pranishme. Tashmë, prej një viti, ajo është zhvendosur në Angli dhe Aidës i kujton momentin kur e njëjta gjë ndodhi me të.
Aida: Asaj po i përsëritet pak a shumë kjo historia ime.
Ardit Gjebrea: Pse?
Aida: Sepse ndërkohë që unë kisha gjetur, një mike, një përkrahje, një njeri fjalëëmbël, një njeri që dinte ta ndante shoqërinë nga pjesa e të qenurit drejtuese, në momentin që unë mendova se puna ime ishte mirë…një ditë të bukur, drejtoresha ime, Viola,thotë që do shkonte në Angli pasi atje do t’i bëhej mirë familjes së saj, fëmijëve të saj për të studiuar atje, për një jetë më të mirë.
Ardit Gjebrea: Qartë.
Aida: Aty mua më ra tavani i kopshtit mbi kokë. Jo se ka ndonjë problem aty, por e kisha si përkrahje, e kisha si njeri që qaja një hall, një njeri që gjeta mbështetje që në fillim pasi sa herë që ajo më shihte të mërzitur vinte dhe “Aida, çfarë ke, unë jam këtu, çfarë halli ke?”, zhvishej nga petku i drejtuesit dhe bëhej njësh me mua, njësh me ne, nuk ishte njeriu që vetëm punonte e rrinte në zyrë.
Veç mirënjohjes dhe dashurisë për të si një mike, arsyeja pse Aida dëshiron t’i japë një mesazh Violetës është dëshira për t’i uruar asaj më të mirën.
Aida: Mendova që unë t’i shprehja mirënjohjen time, por ndoshta edhe t’i qëndroj pranë pak a shumë kështu nga larg sepse unë e di se çfarë ajo po ndien tani atje ku është. Violës po i përsëritet historia ime.
Ardit Gjebrea: Që do të thotë?
Aida: Që do të thotë që Viola ka ikur vetëm për momentin në Angli dhe ndoshta unë shpresoj që Viola vërtet të gjejë një Violë atje që të gjejë përkrahjen që unë kam pasur./tvklan.al



