Nga taksia që e rrëmbeu në Elbasan në vitin 1996, Valbona përfundoi në një shtëpi në Vlorë, me një njeri që nuk e njihte.
Nga i fejuari i saj nuk kishte asnjë lajm e po ashtu, as nga shoku i besuar i tij, i cili e la pikërisht në këtë shtëpi. Tashmë Italia po dukej larg dhe nuk i dukej më aspak se gjërat ishin në vendin e tyre, por rrugëdalja nuk ishte ende e mundur. Në “Ka Një Mesazh Për Ty”, rubrikë nga “E diela shqiptare” në Tv Klan, Valbona kujton një trokitje dere që nuk do t’i ngjallte shpresën, por frikën.
Valbona: Dëgjova këtë trokitjen e fortë në derë dhe del jashtë, hap derën dhe unë shikoj tek tenda, e hap pak dhe shoh që ishte një grup djemsh, të gjithë të armatosur dhe fillojnë të bashkëbisedojnë, por jo normalisht, me zë të lartë dhe unë dëgjoja ndonjë fjalë që më prekte jashtë mase që thonin “tani duhet ta nxjerrësh jashtë urgjent sepse ne kemi ardhur për të”. Shumë e frikësuar në ato momente dhe kur ata ikën, më tha “nuk po ndodh asgjë, nuk ka problem”.
I thashë “ti duhet të më tregosh të vërtetën sepse unë diçka dëgjova”, ai tha “ata ishin këtu për ty, donin të të merrnin sepse çdo vajzë që vjen në Vlorë, kalon përpara në duart e tyre, pastaj niset për Itali”. Unë i thashë “nuk e kuptoj këtë kalojnë në dorë të tyre sepse nuk jam e tillë, ti nuk më njeh ndoshta, por unë veten time e njoh shumë mirë, unë jam akoma e virgjër”. Ia thashë këtë fjalë sepse u tremba jashtë mase dhe se ishte e vërteta ime. Ai më tha “ti mos ki frikë sepse unë do bëj të pamundurën që të të mbroj ty”. Më çoi në një familje tjetër, të dy bashkëshortëve pleq që ishin vetëm dhe nuk arrija që të kisha një lidhje me familjen time sepse më mbante mbyllur. Isha si një e burgosur në të vërtetë dhe isha shumë keq.
Ardit Gjebrea: Sa kohë qëndrove?
Valbona: Gati një muaj. Mbyllur.
Ardit Gjebrea: Në Vlorë?
Valbona: Në Vlorë dhe në të njëjtën kohë, familja ime, veçanërisht mami, më kërkonte çdo natë shkonte në komisariatin e policisë dhe mua më kërkonte edhe Interpoli me një fotografi të zmadhuar timen, por në të vërtetë nuk isha në asnjë qytet të Italisë, në asnjë vend sepse unë isha në Vlorë, nuk isha nisur ende. U nisëm tre herë me gomone dhe vetëm të tretën herë arritëm në Itali./tvklan.al



