Katedralja e Shkodrës dhe historia e saj

E cilësuar si një ndër katedralet më madhështore në Ballkan, Shën Shtjefini ka një histori mbijetese të jashtëzakonshme.

Katedralja e Shën Shtjefnit, shenjtit pajtor të Shkodrës, njihet gjithashtu edhe si kisha e madhe. Një herë e një kohë, katedralja ndodhej brenda mureve të kështjellës Rozafa deri në vitin 1478, kur pushtimi osman i qytetit të fortifikuar e shndërroi atë në xhami.

Qindra vite më vone, në vitin 1851, besimtarët shkodranë i kërkuan zyrtarisht Sulltanit në Stamboll që katedralja të  ndërtohej në Shkodër. Pas 7 vitesh, në prill të vitit 1858, nisi ndërtimi i Katedrales.

 

Foto TERENC PEPA
Vendndodhja dhe arkitektura

Kisha e Madhe është në zemër të qytetit, shumë pranë pedonales së Shkodrës, një prej zonave më të  frekuentuara nga turistët vendas dhe të huaj.

Ndërtesa kryesore i ngjan trupit të Katedrales së Parisit. Në fotot e vjetra shquhen afresket mbi mure, një pjesë e të cilave ishte vepër e piktorit të Shkodrës Kol Idromeno. Më 1967, Katedralja e Shkodrës u kthye në Pallat Sporti.

Fatmirësisht nuk pësoi dëmtime serioze dhe me ndërrimin e sistemit politik ajo u bë streha e besimtarëve të të gjithë veriut.

Ndërtesa shtrihet mbi një planimetri të mirëmenduar e paraprihet nga një shesh i madh përpara. Pjesa fundore e saj lidhet në mënyrë harmonike me kullën e këmbanës e, në një prej faqeve të kullës, shquhet sahati.

Ora e parë për muret e këmbanares është dhuruar nga një prej familjeve të qytetit.

Katedralja, simbol i lirisë

Shkodra ka numrin më të madh të klerikëve martirë të cilët dhanë jetën e tyre me përulësi për lirinë e besimit dhe dëshminë e dashurisë së Zotit.

Shumë famulltarë, klerikë të lartë u torturuan dhe u vranë barbarisht gjatë kohës së diktaturës. Ata janë lumturuar nga Vatikani për mbrojtjen e krishtërimit dhe çdo vit në Katedrale një meshë i kushtohet lumnimit të tyre.

Muzeu

Pranë Katedrales ndodhet i vetmi muze në Shqipëri kushtuar fesë. Nga katedralja tek Muzeu i Pultit, rruga është vetëm pak metra dhe një guidë e dedikuar ju ndihmon të kuptoni më shumë për historinë e këtij aspekti jetësor.

Ekspozita është ndarë në seksione të kuruara me profesionalizëm. Ato sjellin për publikun dëshmi të shkruara, objekte kishtare, foto dhe materiale audio në shqip, anglisht, italisht, spanjisht, gjermanisht, frëngjisht, polonisht dhe kroatisht, duke e përfshirë vizitorin në histori.

Florida Muja

 

Shperndaje ketë postim:

spot_imgspot_img

- PUBLICITET -

Aktualitet

Te tjera
LAJME