Në vitin 2020 Xhemilja u diagnostikua me kancer, i cili u përhap në sy, shpatulla e bark, thotë ajo në programin e Tv Klan, “E diela shqiptare” gjatë rubrikës “Ka Një Mesazh Për Ty”. Xhemilja së bashku me familjen e saj jetojnë në Itali prej vitesh, pas shumë peripecish që ajo dhe bashkëshorti kaluan për të ndërtuar atje një jetë më të mirë.
Teksa bashkëshorti punonte, tani Xhemilja duhet të shkonte në spital dhe kishte nevojë për dikë krah saj. Mes dhimbjes e lotëve, ajo rrëfen se ky njeri ishte vajza e saj, e cila ndonëse në moshë fare të re, la pas gjithçka për t’u kujdesur për të.
Xhemile: Vajza. Vajza ishte 19 vjeçe, ajo që 20 vjeçe, i bëri vjet e shkreta në spital me mua, në Firence.
Ardit Gjebrea: Festoi ditëlindjen në spital?
Xhemile: Në spital me mua, po. 6 muaj duart e saj më shtynin në karrocë me rrota. Ajo, kur më lante, ajo më lante me lot, jo me ujë. Më lante nga prapa, unë e dëgjoja, “Rexhina, çfarë ke? S’kam gjë o ma, çke se s’dua të qaj, duhet të të jap forcë jo të qaj për njerëzit se njeriu është më i fortë se gjithçka”. I thoja “ç’ke moj mami, unë do ngjallem, s’jam nga ato, unë kam kuruar gjithë këtë sëmundje, do ngjallem edhe unë?”
Kush është ai fëmijë që do të shohë nënën e vet 45 vjeçe, 46 dhe ajo bënte çmos, doktorët flisnin me të sikur të ishte e madhe dhe ia thonin asaj që mami është kështu. Vajza bëhej dyllë e verdhë, trembej shumë. Ishte një tmerr që kam kaluar. Që të më ngrinte moralin mua thoshte “ma, ti tani po bën pushime, s’ke bërë asnjëherë pushime, zëre se po bën pushime”.
Ardit Gjebrea: Vajza studion?
Xhemile: Jo, e la shkollën gjysmë prej meje. Kush do më rrinte prapa? Thoshte “ma, nuk kam besim te asnjë, veç unë do vij pas teje”./tvklan.al



