Sot në ‘Abc e Pasdites’ me Ermal Peçin u fol për ndjesinë e mirënjohjes dhe sa e ndjejmë atë në shoqërinë tonë. E ftuar në studio Silvana Bushati rrëfeu një histori shumë personale që për të simbolizon pikërisht të qënurit mosmirënjohës:
“Një nga vajzat e televizionit që sot, jo se ka bërë ndonjë gjë të madhe, është në punë në emision. Kam qenë shtysa që ajo të dal në ekran sa dhe thoja psh ‘Ermal të lutem do e marrësh si të ftuar?’ Në një moment vazhdoi në një emision dhe po kërkonte për të mbushur kronikën e vetë. Dhe i thashë vajza ime luan futboll, merre. Më tepër për t’i bërë nder. Ah, tha, aty duhet lekë. Të betohem që dhe me veshjet e mia, të njëjtat, del në ekran. Vajza ime ka dalë gjithandej. Fjala që thotë, të shkatërron si njeri.” – tha Bushati.
Ndërkohë pedagogia Helena Halili tha se ndonjëherë tregohemi tepër të shpejt në gjykime duke harruar se disa njerëz mund të mos e kenë mundësinë për të kthyer nderin me qëllim që të tregojnë mirënjohjen. Për aq kohë sa nuk i bëjmë të mirat me qëllimin që të na kthehen, gjithçka është në rregull shpreh Halili, por duhet të vendosim veten në këpucët e tjetrit kur ka nevojë për një dorë por nuk ka asgjë për të dhënë pas.
“Disa njerëz e kanë problem ta rikthejnë kujtesën e tyre e të kujtohen kur kanë qenë ‘të vegjël’. Harrojnë rrugës, sepse përmasat e mëdha nuk shohin përmasat e vogla të një dore. Ka raste kur njerëzit harrojnë, por ka raste që dhe nuk kanë mundësi për të treguar mirënjohjen. Një zonjë një herë më tha ‘nuk kam asgjë të të jap veçse të lutem që Zoti të ta bëj dritë’.” – shprehu pedagogia.
Albi Dhima shprehu se mosmirënjohja është një virtyt negativ që gjendet masivisht në studiot televizive dhe në marrëdhënie me personazhet publike. Sipas tij, fama i transformon njerëzit dhe kur të janë hapur dyert e televizioneve duhet të jesh falenderues dhe jo arrogant.
“Njerëzit duhet të jenë falenderues ndaj një mundësi. Ty të është dhënë ajo kohë televizive, duhet të jesh falenderues. Si e shfrytëzon është çështje personale.” – tha Dhima./abcnews.al