Nga Flora Xhemani Baba
Po ty, çe t’ka ra?
Kjo ishte pyeta që i bënim njëri-tjetrit në lagje dhe në shkollë pasi data kalonte 20 dhjetor. Ishte koha kur prindërve u jepnin lodra në qendrën e punës, që t’ua dhuronin fëmijëve. Dhe ishte për ne periudha më e lumtur. Gjithë ato ditë kontrollonim çantën e mamit kur vinte nga puna dhe kurrë ajo s’kishte qenë më e bukur sesa atë ditë kur brenda shkëlqenin qeset e celofanit me lodrat brenda.
Ishte lumturia jonë e festave që bashkë me pambuqet nëpër dritare, vargjet e letrës nëpër tavan ose mbi degën e pishës, aromën e gjalpit të bakllavasë dhe “gurllu-gurllu-të” e gjelave të detit nëpër lagje, përbënin atmosferën e Vitit të Ri, se atëhere nuk kishte Krishtlindje. Lodrat e vitit të ri ishin të shumëpritura sepse ato pak lodra që rrinin në kinkaleri dhe pluhuroheshin aty gjithë vitin, ishin shumë të shtrenjta dhe asnjë prind nuk kishte mundësi t’i blinte, përveç “kuadrove”.
Në fillimet e fëmijërisë lodrat ishin kineze, të mbetura ende nëpër magazina e që kishin ardhur në kohën e miqësisë shqiptaro-kineze. Dhe ishin shumë të bukura! Kukullat kishin duar e këmbë, flokë të vërtetë, një gomë të butë që të jepte përshtypjen e trupit dhe mund t’i vishje me rroba si të doje. Lodrat kishin mekanizma. E mbaj mend si sot një lavatriçe, që punonte me një manivel dhe që mund t’i fusje brenda edhe lecka të vogla, me të cilat luanim kukullash. Ose një harmonikë në formë bananeje, që ne i thoshim “shaze” (për saze) me të cilën shurdhonim gjithë lagjen derisa të prishej. E njëjta gjë ndodhte kur të binte “birbil”. 😂
“Çe t’ka ra ty?. Mu m’ka ra kukull. Po ty? Mu tren me vagona. Po ty? Mu ambulancë”.
Pastaj, si u mbaruan lodrat kineze, erdhi koha e NISH Gomës së Durrësit. Lodrat u shëmtuan, kukullat u bënë plastike dhe pa gjymtyrë e flokë, lodrat me mekanizma u zëvendësuan me lodra llastiku të derdhura, me një vrimë ku futej një pipëz që bënte fiq-fiq. Dhe dihej që në rastin më të zakonshëm, do të të binte një “fiqfiqe”. E në këtë periudhë, lodra që dëshironim më fort ishte topi. Mundësisht top “qinç” (që kushtonte njëqind lekë), se me të mund të luaje topaluftash ose topavijash.
Por mund të të binte edhe “pezdhiç” ose “dystepellsh”, që ishin më të vegjël e jo fort të dëshirueshëm se me ta mund të luaje vetëm me shoqet te muri. Dhe kur shpohej topi, me vrap te këpucari për t’i vënë pullë. Derisa të vinte viti tjetër, topi do të kishte patjetër tri-katër pulla. Por qëllonte edhe të ta çanin fare, nëse binte në kopshtin e rrethuar me avlli të komshiut nursëz (ne kishim kopshin e Fiqeretit) dhe prishte qepët apo sallatat.
E kshu kshu. Po pse më duket sikur kemi qenë më të lumtur atëherë?