Blen shtëpi me noteri të rregullt, më pas i bllokohet në Kadastër

Pranë redaksisë së emisionit Stop në Tv Klan ka ardhur një ankesë nga një qytetare në Rrëshen, e cila në hipotekën e apartamentit të saj në një pallat rezulton që kufizohet me vetveten.

 

Në vitin 2018, zonja Majlinda Kola bleu një apartament 2+ 1, me sipërfaqje 107 m2. Po në atë vit Majlinda u pajis më certifikatë pronësie dhe prona ka qenë e pabllokuar. Por kur Majlinda donte ta shiste apartamentin, ai rezultoi i bllokuar, pasi është ngatërruar nga Kadastra me hyrjen e komshiut.

 

“Kam blerë një apartament 107 m2 në vitin 2018, kam bërë noterinë, kam marrë certifikatën e pronësisë. Unë dua të shes shtëpinë. Shkova te noterja, ajo tha duhet të shkosh te Hipoteka për të marrë atë që shtëpia është e bllokuar. Nuk kam marrë asnjë lloj kredie. Asnjë gjë. Kanë ngatërruar numrat e pasurisë te Kadastra dhe shtëpia ime del e Agustin Bardhokut, komshiut. Fillimisht unë shkova tek noterja për të bërë rifreskim pasurie. Aty zbulova që shtëpia është e bllokuar dhe nuk mund ta shes. Kur vajta te Kadastra drejtori Klajdi Dodaj më tha që është bërë një gabim nga ish-drejtori i parë Jul Përgega. Ne po vuajmë këtë gjë që unë nuk mund të shes shtëpinë. Edhe kur ishte drejtori tjetër, kam shkuar e jam ankuar, kemi bërë të gjitha gjërat dhe ai iku, erdhi ky tjetri, edhe ky tjetri përgjigjen e ke këtu në letër, por nuk mund të zgjidhi asnjë gjë”, thotë Majlinda Kola.

 

Kadastra e Rrëshenit e pranon gabimin e bërë më përpara.

 

“Gjatë punimit të praktikës dhe hedhjes së të dhënave në Regjistrin Kadastral Dixhital rezulton të ketë pasaktësi në regjistrim dhe në dokumentacionin e origjinës së pronës”, thuhet në përgjigjen me shkrim të dhënë nga institucioni i Kadastrës.

 

Drejtori i Kadastrës së Rrëshenit, Klajdi Doda, thotë se ky problem i është përcjellë Drejtorisë së Lezhës.

 

“Ne i jemi drejtuar dhe Drejtorisë Lezhë, jemi në pritje për të marrë informacion të detajuar nga Drejtoria Lezhë. I jam drejtuar Lezhës se nuk janë vetëm këto gabime që janë shkruar këtu, ka dhe gabime të tjera dhe i jam drejtuar Drejtorisë së Lezhës për të ngritur një komision dhe ai komision ka për të marrë shqyrtimin edhe saktësimin e pasurive, që dhe zonja të pajiset me certifikatën e vetë dhe dokumentacionin e saj dhe çdo gjë të shkojë në mbarëvajtje të procedurave ligjore”, thotë drejtori i Kadastrës së Rrëshenit.

 

Kryeregjistruesi i Kadastrës në Lezhë, Gentian Malotaj, premton ngritjen e një grupi pune për zgjidhjen e këtij problemi.

 

“Jam në dijeni të këtij rasti, kam 2 ose 3 ditët e fundit që jam vendosur në dijeni. Kam vënë në lëvizje drejtorin vendor, përgjegjësin e zyrës së Mirditës ku ka ngritur edhe një grup pune për të zgjidhur rastin. Normalisht ai ka kërkuar asistencë nga Drejtoria Vendore e Lezhës duke qenë se edhe punëtorët nuk është se ka një strukturë të zgjeruar, 2 jurista dhe 1 hartograf do jenë. Do ngremë një grup pune për verifikimin e problematikës së dosjes, me dy juristët më të mirë që kemi ne dhe një inxhinier, pastaj qytetarit normalisht t’i japim shërbimin e kërkuar. Qytetarit, deri sa e ka me certifikatë pronësie, duhet patjetër që t’i japim një zgjidhje”, shprehet drejtori i Kadastrës së Lezhës, Gentian Malotaj. /tvklan.al

Shperndaje ketë postim:

spot_imgspot_img

- PUBLICITET -

Aktualitet

Te tjera
LAJME