Arrestohet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ish-drejtori i FBI-së në Nju Jork, Charles McGonigal, me akuzën se ka ndihmuar një oligark rus të pastrojë paratë duke shkelur kështu sanksionet e vendosura nga SHBA ndaj Rusisë.
Charles McGonigal, ish-agjent special i ngarkuar me divizionin e kundërzbulimit të FBI-së në Nju Jork nga viti 2016 deri në 2018, akuzohet se ka punuar me një ish-diplomat sovjetik të kthyer në përkthyes rus në emër të Oleg Deripaska, një miliarder rus.
Ai dyshohet se punoi për hequr sanksionet e Deripaskës në vitin 2019 dhe mori para prej tij në vitin 2021 për të hetuar një oligark rival. Oligarku rus Deripaska ka qenë në qendër të akuzave për bashkëpunimin me Donald Trump për të ndërhyrë në zgjedhjet amerikane në vitin 2016.
54-vjeçari McGonigal, dhe përkthyesi, Sergey Shestakov, 69 vjeç, u arrestuan këtë të shtunë. McGonigal u arrestua pas uljes në Aeroportin Ndërkombëtar John F. Kennedy. Ata pritet të dalin në gjykatë në Manhattan të hënën. Të dy po mbahen në një burg federal në Brooklyn.
Lidhja e McGonigal me Shqipërinë dhe Edi Ramën
Pas lajmit se McGonigal u vu nën hetim në SHBA për lidhje me rusët, në Shqipëri shpërthyen akuzat politike, kryesisht nga ish-kryeministri Sali Berisha, i cili pretendoi se kryeministri Edi Rama është nën hetim ndërkombëtar për këtë çështje.
Vetë kryeministri Edi Rama reagoi duke e pranuar miqësinë me McGonigal por tha se çështjet e tij me drejtësinë amerikane, i përkasin vetëm atij.
“Cilët rusë të mitë? Shefi i kundërterrorit i FBI-së ka qenë dhe është miku im nuk diskutohet. Nëse ai ka një çështje të tijën me drejtësinë në SHBA-të, është çështje e tij. Lëreni të flasë drejtësia në SHBA. Nuk bëhet drejtësia, nuk nxirren fajtorët dhe nuk bëhen akuzat në këtë farë feje se është e tmerrshme. Çfarë të them më shumë se kaq. Bëhet fjalë për një çështje që është në SHBA, që nuk ka asnjë lidhje me mua, me qeverinë shqiptare që nuk ka asnjë biznes të çfarëdollojshme se me këtë teori i bie që ne nuk duhet të takojmë askënd sepse nesër dikush mund të ketë probleme me drejtësinë në vendin e vet”, tha Rama në atë kohë.
Vizita e McGonigal në Shqipëri
Departamenti i Drejtësisë thotë se McGonigal fshehu gjithashtu nga FBI detajet kyçe të një udhëtimi të vitit 2017 që ai bëri në Shqipëri me një ish-anëtar të shërbimit inteligjent të Shqipërisë, i cili i kishte dhënë atij 225,000 dollarë.
Prokurorët amerikanë thonë se ai nuk arriti të identifikonte personin si shoqëruesin e tij të udhëtimit ose të zbulonte se strehimi për të do të ishte falas.
Pasi në Shqipëri, sipas Departamentit të Drejtësisë, ai u takua me kryeministrin Edi Rama dhe e dekurajoi atë që të mos jepte licenca për shpimin e fushës së naftës në Shqipëri për kompanitë ruse. Kontaktet shqiptare të McGonigal kishin një interes financiar në ato vendime, thonë prokurorët.