Igli është një 24-vjeçar që vjen në “Ka Një Mesazh Për Ty” nga fshati Baban i Devollit. Që me fjalitë e para, i riu habiti publikun e programit “E diela shqiptare” në Tv Klan kur tha se për dy muaj, do të bëhet babai i një vajze.
Por njeriu i zemrës nuk është arsyeja e ardhjes së Iglit në program. Në fakt ai ka ardhur për gjyshërit e tij, me të cilët jeton prej moshës 3-vjeçare.
Igli: Gjyshi im quhet Sheqadet Lulo, është 78 vjeç kurse gjyshja quhet Mezamie Lulo, është 69 vjeç.
Ardit Gjebrea: Pse nuk ke thirrur prindërit po ke thërritur gjyshin me gjyshen?
Igli: Sepse babi mua më ka lënë të vogël.
Ardit Gjebrea: Sa?
Igli: 2 vjeç e gjysmë.
Ardit Gjebrea: Sa keq!
Igli: Ka lënë 3 fëmijë, motra është 2 vite më e madhe kurse vëllain e ka lënë ende në bark, nuk kishte lindur. Motrën dhe vëllain e vogël i mori mamaja, ajo iku te prindërit e saj, kurse unë ndenja te gjyshi e gjyshja, më rritën ata.
Ardit Gjebrea: Ty nuk të mori mami me vete?
Igli: Më ka marrë mami, po unë jam kthyer nga gjyshi e nga gjyshja.
Në moshën 3-vjeçare, për shkak se ishte mësuar me gjyshërit, Igli u kthye sërish në shtëpinë e gjyshërve nga ana e babait.
Ardit Gjebrea: Po ti si e thërrisje gjyshin me gjyshen?
Igli: Baba dhe nëna.
Ardit Gjebrea: Ti mendoje që ata ishin babai dhe nëna?
Igli: Jo, e dija që ishin gjyshi dhe gjyshja, po andej nga anët tona kështu i thonë, babai dhe nëna. Nuk i kam thirrur asnjëherë, sot po i thërras.
Ardit Gjebrea: Për herë të parë po i thua gjyshe dhe gjysh, sot që po ta them unë. Atëherë përdorim fjalën babai meqenëse të ka munguar, por ta ka plotësuar gjyshi apo jo, nga ana e babait. Kushedi sa të lumtur gjyshi me gjyshen që jetonin me ty. Vetëm ty të kishin?
Igli: Po veç unë kam ndenjur me gjyshin e me gjyshen, vëllai i vogël ka ndenjur me gjyshin e me gjyshen nga ana e mamit, kurse motra është në Greqi.
Ardit Gjebrea: Tani ti akoma jeton me gjyshin dhe me gjyshen?
Igli: Po.
Ardit Gjebrea: Çfarë pune bënte gjyshi yt me gjyshen që të të rrisnin ty?
Igli: Gjyshi im kur ka qenë i ri ka qenë klarinetist dhe këpucar. Kur vdiq babi, i la ato zanate, shkonte në mal për dru me 3 kuaj që mbante familjen.
Ardit Gjebrea: Të paska rritur me sakrifica.
Igli: Po.
Ardit Gjebrea: Ti ke ndierë ndonjëherë momente të vështira në jetë që ke thënë pse nuk e kam dhe unë këtë si ky apo si ajo? Apo jo?
Igli: Të vështira shumë nuk i kam ndierë, veç i kam ndierë kur kam qenë në shkollën fillore, kur shihja që prindërit i vinin bashkëmoshatarëve të mi kurse mua më vinte gjyshi e gjyshja.
Ardit Gjebrea: Dhe si ndiheshe ti?
Igli: Nga një anë ndihesha krenar, nga një anë ndihesha që më mungon diçka.
Ardit Gjebrea: Të mungonin prindërit?
Igli: Po./tvklan.al