Divorci i Silvanës ka vetëm 6 muaj që ka përfunduar, ndërsa në vitin 2019 ajo është ndarë nga ish-bashkëshorti. Në atë periudhë, kur ajo vendosi se nuk do të kishte më asnjë burrë në jetën e saj sepse i dukeshin të gjithë njësoj, njeh Kristianon. Ai i dha ngrohtësi, e priti, iu gjend pranë pa kërkuar asgjë derisa ajo vendosi t’i thoshte po.
Në “Ka Një Mesazh Për Ty” nga “E Diela Shqiptare” në Tv Klan, Silvana kujton takimin e tre fëmijëve të saj me familjen e Kristianos. Ajo shprehet se ishte e frikësuar për reagimin e tyre, por gjeti veç mirësi. Nga ana tjetër, tre fëmijët kanë gjetur te Kristiano babain e munguar.
Silvana: Kisha shumë frikë sepse thosha jam shqiptare, edhe ne në Shqipëri, një gocë me tre fëmijë nuk mund të marrë një djalë beqar, e kisha frikën e të gjitha por kur vjehrri me vjehrrën time kanë pranuar fëmijët e mi në një mënyrë…
Ardit Gjebrea: I kanë pranuar fëmijët?
Silvana: I kanë pranuar dhe herën e parë që i kanë takuar, i kanë thënë “hajde të gjyshi”. Edhe kunati im, vëllai i tim shoqi, “hajde te xhaxhi”, nuk i ndan kurrë fëmijët se burri im ka dy nipër dhe një mbesë. Vjehrra ime kur blen diçka për ata do blejë diçka edhe për fëmijët e mi. Nuk i ndan kurrë.
Ardit Gjebrea: Si e thërrasin fëmiëjt e tu bashkëshortin?
Silvana: Babi. Noemi i thërret babi, edhe Mateo dhe Françeska. Kur Kristiano filloi të jetonte me ne, Noemi i thotë Kri mund të të bëj një pyetje, e merr, i ka thënë “më thuaj Noemi”, i ka thënë “mund të të thërras babi?” Kristiano i ka thënë, se është njeri shumë i edukuar, shumë i sjellshëm, është shumë i veçantë, ai na ka sjellë çdo gjë në jetë, atë që na ka munguar, dashurinë. I ka thënë “Noemi, unë jam Kristiano, ti babin e ke, por ama të dish një gjë, për çdo hall, për çdo problem unë jam përkrah teje, mos ki frikë për asgjë”.
Ardit Gjebrea: Po Noemi çfarë i tha?
Silvana: Noemi e ka kapur për faqesh dhe i ka thënë “Kri, por baba quhet ai që përkujdeset për fëmijën e vet, nuk quhet një që nuk përkujdeset, kurse ti përkujdesesh për ne shumë, jashtë mase”. Ai e ka marrë, e ka përqafuar dhe i ka thënë “thirrmë si të duash”./tvklan.al