Në karrierën e tij 30-vjeçare si pianist, Ekland Hasa ka një moment shumë të rëndësishëm, bashkëpunimet me Albano Carrisi.
Në intervistën e tij për “Rudina” në Tv Klan, muzikanti shprehet se njohja me këngëtarin italian ndodhi krejt rastësisht. Një mik i përbashkët shërbeu si një urë lidhëse mes tyre që Eklandi t’i jepte mësim vajzave të Carrisi dhe pjesa tjetër, është histori e shkruar në partitura muzikore.
Ekland Hasa: Një miku im violinçelist italian më thotë “je i interesuar t’i japësh mësim vajzës së Albanos, piano?” Thashë çne unë? Tha “ai ka dëshirë dhe kërkon një pedagog pianoje”. Patjetër, i thashë.
Marrim makinën, shkojmë në Cellino San Marco ku është ajo lagjja fantastike e Albanos, ku ka hotele, shtëpi të ndryshme, ka një pyll, një shtëpi madhështore. Ne vajtëm direkt në studion e regjistrimit, u prezantova.
Aty ishte, më kujtohet një piano “Steinway” nga markat më të mira të pianos. Ai është një njeri shumë delikat, me shumë mënyra, me shumë modë. Natyrisht ai kërkonte si çdo prind të mësonte çfarë di të bëjë ky fëmijë. Me shumë delikatesë më pyet “dëgjo, unë sapo kam blerë këtë piano ‘Steinway’, nëse është e mundur mund të luash diçka?”,
por me shumë mënyra, me shumë delikatesë. Thashë luaj ndonjë gjë romantike, okej, po i bie diçka virtuoze. Nuk kaloi as një minutë e gjysmë, më kapi dorën dhe më tha “kur do fillosh me vajzën?” Edhe kështu filloi një bashkëpunim si pedagog i vajzave të Albanos./tvklan.al