“Unë nuk heq dorë nga kjo vajzë”, dashuria që nuk u përkul ndaj sëmundjes

Dashuria e Dedës dhe e Marjetës lindi nga një shikim dhe më vonë fati i bashkoi sërish rrugët e tyre. Vazhdimi i kësaj historie nisi të paraqiste sfida të forta që në fillim të saj. Në rrëfimin e tij në “Ka Një Mesazh Për Ty”, rubrikë nga “E Diela Shqiptare” në Tv Klan, Deda thotë se ende pa u kryer fejesa, gjendja shëndetësore e Marjetës nuk ishte aq e mirë.

Prindërit e saj i thanë Dedës se ai mund të tërhiqej nga fejesa, por asgjë nuk do ta largonte atë nga dashuria për Marjetën. Pas martesës, Marjeta pësoi paralizë në anën e djathtë të trupit dhe iu desh të mësonte dhe të përshtatej me kufizimet që i sillte gjendja shëndetësore.

Deda: Kishte vështirësi të jashtëzakonshme, dhimbje koke, anoreksi, probleme saqë duhet të them, pa kryer fejesën, isha duke e takuar rastësisht dhe ta them me sinqeritet, nuk e njoha. Ishte tjetërsuar komplet, një metamorfozë e jashtëzakonshme.

Ardit Gjebrea: Po çfarë problemi shëndetësor kishte?

Deda: Kryesisht problemet e tiroideve, por duhet të theksoj, para se të bëhej fejesa familja e vet u interesua në mënyrë të jashtëzakonshme.

Ardit Gjebrea: A të thanë ata në ndonjë moment që “shiko, Marjeta ka këto probleme shëndetësore, në qoftë se dëshironi mund ta prishim fejesën?”

Deda: Po Ardit, ma thanë. Si unë, si Marjeta kemi pasur prindër të jashtëzakonshëm. I thashë baba, unë nuk heq dorë nga kjo vajzë edhe nuk jam tërhequr. Shëndeti i saj përkeqësohej, vitin e katërt erdhi njëfarë përmirësimi, arritëm që të bëjmë edhe martesën.

Ardit Gjebrea: Marjeta filloi të kishte probleme edhe me paralizën, po?

Deda: Maria nuk e komandonte dorën e djathtë fare dhe anën e trupit.

Ardit Gjebrea: Fare, fare.

Deda: Fare, për 2-3 muaj fare.

Ardit Gjebrea: Ndërkohë i duhej që të mësonte të përdorte dorën e majtë për të ngrënë, për të shkruar, po punët si i bënte?

Deda: Punët e di vetëm shpirti i saj se si ka arritur të bëjë punët dhe se si ka arritur t’i shërbejë prindërve të mi dhe se si ka arritur të lajë, të shpëlajë, të bëjë të gjitha punët se ngarkesa në fshat… dhe ka arritur që t’i kryejë të gjitha prapë vetë.

Deda ka ardhur t’i kërkojë ndjesë dhe t’i japë forcë gruas dhe nënës së 4 fëmijëve të tij. Ai ndihet fajtor që në gjithë këto vite nuk ia ka shprehur si duhet dashurinë apo t’i dhurojë lule edhe në ditët e zakonshme, ndaj dëshiron t’ia tregojë hapur mbështetjen Marjetës së tij./tvklan.al

Shperndaje ketë postim:

spot_imgspot_img

- PUBLICITET -

Aktualitet

Te tjera
LAJME