Në 17 Mars emisioni Stop në Tv Klan transmetoi një rast të trishtë në familjen Ruqja në rrugën “Jordan Misja” në Tiranë.
Bukurie Ruqja me 5 fëmijë tregoi se djali i vogël ka një sëmundje që nuk rritet. Ai është 10 vjeç, por zhvillimi ka mbetur në moshën 6-vjeçare.
Analizat dhe vizitat kushtojnë shumë dhe 400 mijë Lekë bëjnë vetëm gjilpërat për të.
Emisioni Stop dhe “Fundjave Ndryshe” e ndihmuan me ndihma ushqimore, batanije dhe veshje familjen me mundësi të kufizuara.
Pas këtij transmetimi, klinika Kohav ka ndihmuar me analiza djalin që nuk zhvillohet. Doktor Ardi Prushi shprehet se pasi pa rastin, klinika është e gatshme të ofrojë për djalin kryerjen e analizave në mënyrë periodike dhe falas.
“Pasi u njoha me rastin e djalit i cili ka probleme me zhvillimin dhe në rritjen e tij, dhe duke parë që e ëma shprehej për pamundësinë për të kryer këto analiza sepse janë relativisht të kushtueshme, ne si klinika Kohav vendosëm që këto analiza të mund t’i ofrojmë falas për djalin në mënyrë periodike dhe sa herë ata do e kenë të nevojshme dhe kur të kërkohen nga mjeku kurues i djalit”, u shpreh mjeku Ardi Prushi.