Antonini, një inxhinier topograf që prej 45 vjetësh ushtron profesionin e tij ka hartëzuar pronën e klientit të tij Qazim Grëmbi. Siç u sqarua gjatë “Shihemi në Gjyq” nga “E Diela Shqiptare” në Tv Klan, familja Grëmbi ka një tokë me sipërfaqe 18.968 metra katrorë nga ligji 7501, ku një parcelë prej 5000 metrash katrorë nuk është marrë prej 12 vjetësh.
Institucionet iu kanë thënë se duhet bërë një azhornim pasi në fshatin në Fier ku ndodhet prona, është një zonë naftëmbajtëse ku një firmën e huaj ka lidhur kontrata me qytetarët që kanë certifikata pasurie. Familja Grëmbi pretendon se është prona e tyre dhe kompania u ka kërkuar certifikatën e pronësisë sepse ndërkohë ka familje të tjera që thonë se janë pronarët. Një prej tyre ka të njëjtin mbiemër me familjen Grëmbi.
Lidhur me këtë, Toni, djali i Qazimit i cili ka ardhur në vend të të atit përballë inxhinierit, e akuzon se është bërë palë me ta. Veç kësaj, ai thotë se Antonini nuk ka bërë punën e tij dhe nuk pranon ta paguajë.
Eni Çobani sqaron se familja Grëmbi e ka fituar çështjen në gjykatë, por avokatura e shtetit ka apeluar vendimin, ndaj duhet të presin që të marrë formë të prerë. Nëse Toni nuk merr certifikatën e pronësisë, nuk mund të marrë paratë që kompania ofron për përdorimin e pronës, një shumë prej 200 milionë Lekësh.
Eni Çobani: Në momentin që do marrësh vendimin e formës së prerë, ti zotëri do shkosh të bësh certifikatën, të shkosh të marrësh paratë, ato milionat që do marrësh t’i hash me shëndet, por ato milionat që do marrësh, në qoftë se i ke thënë 5 milionë, 5 milionë dhe atë bonusin që i ke thënë 6 milionë se i meriton ai!
Toni: Po mora po.
Eni Çobani: Po, po, e meriton ai edhe për moshën…
Toni: Ai i do sot moj, pse ma merr babain në telefon?
Antonin: Eni, më ka shkatërruar familjarisht. Psikopati! Do kërkoj dhe dëmshpërblim moral do ta padis.
Toni: Po mirë me këtë fjalë thua ti unë do të të çoj në prokurori…
Antonin: Ka 45 vjet, nuk më ka bërë vaki ndonjëherë!
Toni: Nuk e dua më fare!
Eni Çobani: Do ia revokosh prokurën?
Toni: Do i jap 500 mijë Lekëshin tjetër.
Eni Çobani: Që i ke premtuar? Pra 1 milionë.
Antonin: Nuk dua lekë nga ti!
Toni: Se më tha zonja Eni!
Eni Çobani: Zonja Eni tha atë bonusin mbi 5 milionëshin, jo 500 mijë të vjetra.
Toni: Ça bonusi do ai, unë kam 4 vjet…
Eni Çobani: Pra ti të bëhesh pronar, të marrësh 200 milionë Lekë dhe këtij t’i japësh 500 mijë të vjetra?
Toni: Po po më lodh!
Eni Çobani: Po ta ka bërë aktin e ekspertimit!/tvklan.al