Ky është një rast i zakonshëm në Shkodër. Këta dy qytetarë me biçikleta detyrohen të lëvizin ngjitur me automjetin e parkuar dysh në rrugë duke rrezikuar jetën e tyre.Pak muaj më parë shefi i qarkullimit rrugor në Shkodër, Artan Reçi bëri të ditur, se në Shkodër janë futur mjetet inteligjente për vendosjen e gjobave jo vetëm për shpejtësinë, por dhe për parkimet e gabuara, me qëllim përmirësimin e qarkullimit në rrugët e qytetit.
Parkimet dyshe janë kthyer trend i makinave në rrugët e Shkodrës. RTSH Shkodra bëri një vëzhgim të shkurtër nëpër rrugët kryesore dhe vërehet se ky fenomen është prezent ndërsa shoferët vijojnë të qëndrojnë të parkuar dysh të pashqetësuar nga askush.Ndërkohë një nga problematikat që shkaktohen nga këto lloj parkimesh përveç krijimit të vështirësive në qarkullim është dhe bllokimi i segmenteve në raste emergjence për zjarrfikësen apo ambulancën.Edhe pse situata është shqetësuese dhe e denoncuar disa herë në media, policia vijon të mos marrë masa ose të sensibilizojë shoferët me vendosjen e fletëpalosjeve nëpër makina.



