Këngëtarja e njohur dhe mjaft e dashur për publikun Irini Qirjako, ka treguar eksperiencën e veçantë në një dasmë, ku kishte shkuar për të kënduar.
Në rubrikën “E DIELL FOLK”, ajo ka treguar se dasma bëheshe në Maqedoni dhe tradita ishte që burrat të qëndronin veç dhe gratë veç, por kur filloi të këndonte një nga këngët e saj, burrat harruan traditat dhe të gjithë erdhën tek vendi ku festonin gratë.
Ervin Kurti: Meqënëse ti këndon dhe i qan ato dasma, një që të ngelur në mendje cila është?
Irini Qirjako: Më kanë ngelur në mendje shumë, por njëra është më e veçantë. Në një dasmë në Maqedoni, sigurisht burrat veç, gratë veç. Në shtëpi ishte dhëndri në oborrin e shtëpisë dhe e morën e rruajtën pastaj e zhdëpën në dru. Ishte dhe Maksi, burri im atje. Tha Maksi, çfarë është kjo, çfarë bëjnë kështu?! O Maksi kanë traditat i thashë unë. Pastaj kur shkuam tek darka, gratë ishin veç jashtë dhe burrat në një ndërtesë në 60 metro tutje, sepse qëndronin të ndarë. Filloi dasma, orkestra ishte tek gratë dhe sa fillova këngën “O te rrapi more në mashkullore”, kur dëgjoj unë “pau, pau, pau”. U ngritën të gjithë burrat që ishin tek ajo ndërtesa aty erdhën të gjithë dhe me vrap, kush të më kapte më parë.
Ervin Kurti: Po ti paske prishur traditat!
Irini Qirjako: Po tani ç’të bëj unë. Nuk kisha faj unë, i harruan traditat ata (qesh).