Këngëtarja shqiptare me famë ndërkombëtare, Bebe Rexha, ka qenë pjesë e një ngjarje të shëmtuar që ndodhi në koncertin e saj të fundit në New York.
Teksa po bënte simbolin e shqiponjës me duar në mbarim të performancës, ajo u godit me një telefon në fytyrën e saj nga një person nga audienca.
Siç raportohet nga mediat e huaja, burri në fjalë është arrestuar nga autoritetet njujorkeze, ndërsa pamjet e sulmit të paprecedentë kanë qarkulluar gjithandej në internet.
E lidhur me ngjarjen në fjalë, së fundmi ka reaguar edhe vet interpretuesja e hitit “Meant To Be”. Ajo publikoi në llogarinë e saj zyrtare në Instagram dy fotografi, ku shihet me qepjet e bëra në fytyrë pas ndodhisë në koncert.
“Jam mirë”, shkroi ajo në gjuhën angleze në mbishkrimin e fotografive, duke iu referuar kështu edhe hitit të saj me titull “I’m Good”, i cili ka qenë edhe frymëzues për titullin e turneut të saj aktual të koncerteve, “Best F**n Night Of My Life”.
Bebe Rexha përndryshe po e zhvillon këtë turne në sajë të promovimit të albumit të saj më të ri, “Bebe”, të cilin e publikoi në prill të këtij viti.