Në Qendrën e Artit “Agimi” është vendosur ditën e hënë ekspozita “Pritja”, e kuruar nga fotografi dhe regjisori Artan Korenica. Ky projekt, të cilin ai e punon prej 4 vjetësh ka në qendër një mori fotografish ku persona të ndryshëm presin njerëzit e tyre të dashur që nuk kthehen më.
Një prej fotove ka pas historinë e Ferdonije Qerkezit, tavolina e së cilës është e zbrazët prej 24 vjetësh. Dy prej djemve të saj u vranë, ndërsa bashkëshorti dhe dy djemtë e tjerë u zhdukën në luftën e Kosovës, shpjegon Jonid Jorgji, drejtor i Agjencisë së Industrisë Kreative.
Jonid Jorgji: Ajo foto vjen nga skena e fundit në të cilën ajo grua mori vesh lajmin për zhdukjen e gjithë familjarëve të saj. Në një ditë gjatë kohës së luftës së Kosovës, në atë shtëpi u zhdukën të gjithë familjarët e asaj gruaje dhe ngeli vetëm ajo nënë në atë tavolinë të mbushur, të shtruar dhe pa as edhe… edhe sot e kësaj dite nuk janë gjetur akoma trupat e familjarëve të saj, e cila e bën gjithmonë e më të dhimbshme historinë.
Jorgji shton se ekspozita përfshin edhe një film me metrazh të shkurtër.
Jonid Jorgji: Ajo Aty u shfaq edhe një film për të treguar jetën ose ditën e fundit të atij lajmi të kobshëm që ndodhi në atë familje. Ishte një film 12-minutësh i cili ngjalli shumë kuriozitet por pati edhe shumë reagime sensitive ndaj gjithë publikut që e pa. Aty ishte edhe zonja Ferdonije e cila e amplifikonte gjithmonë e më tepër atë dhimbje dhe atë emocion që të gjithë ne përjetuam.
Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri në fund të muajit Qershor./tvklan.al