Nga Divjaka në Bali, ku do pushojnë VIP-at shqiptarë këtë verë

Ndërsa vera dhe temperaturat përvëluese kanë trokitur më në fund për këtë vit, VIP-at shqiptarë kanë planifikuar pushimet e tyre.

Nga Divjaka deri në Bali, disa modest dhe të tjerë pushime luksi… qëllimi është një: Relaks, larg streseve dhe angazhimeve të përditshme.

I pyetur se ku do t’i kalojë pushimet për këtë vit, Ronaldo Sharka ka rrëfyer se në Divjakë. Bukë me vete, shalqi, kasolle në breg të detit dhe shumë muzikë të mirë… janë ëndrra e çdo nate vere, nëse shoqërohen nga aroma dehëse e druve të zjarrit dhe pak alkool me miqtë.

Ronaldo është treguar i shpejt për këtë të fundit, ndërsa zbulon se do të marrë edhe Sabianin me vete që t’i këndojë mëngjeseve. Muzikë live, ku ka më bukur se kaq.

“Pushimet do t’i kalojmë në Divjakë. Bukë me vete, shalqi, shtëpinë e kam në Lushnje por ç’rëndësi ka, do bëjmë një kasolle vetë. Do jetë edhe Sabiani, do të na këndojë çdo mëngjes”- tha Ronaldo Sharka.

Nga ana tjetër, moderatorja Erjola Doçi ka treguar se pushimet e verës planifikon t’i kalojë në Bali këtë vit.

“Pushimet e verës do t’i kaloj në Bali. Të rrisim pak temperaturat e Instagramit”- tha Doçi. E pyetur se me kë do të shkojë, Erjola ka zgjedhur ta mbajë “të fshehtë”, ndërsa me batutë përgjigjet “me Ronin”.

Ngacmimit të gazetares se “Roni deri në Divjakë e kishte takatin moj motër”, Doçi i është përgjigjur “do e marrë unë”.

Ndërkohë, Keisi ka rrëfyer se ndër destinacionet e saj këtë verë është Barcelona.

“Nuk e kam vendosur akoma, por kam shumë vende turistike që do të shkoj. Një prej vendeve është Barcelona. Unë kam shoqen time në Barcelonë dhe nja një muaj të mirë do ta kalojë aty”- tha Keisi. Një muaj vetëm me shoqen do të thoni ju?! Kush e di, çfarë ndodh në Barcelona qëndron në Barcelona.

Armaldo Kllogjeri është ndër të paktët VIP-a, i cili s’ka ende një plan për pushimet e verës këtë vit. Dhe shkak për këtë është bërë pritja e ëmbël e bashkëshortes së tij në korrik. Me një foshnje disa ditëshe në duar, ëmbëlsinë e verës, Armaldo, baba për herë të dytë, duket se do ta shijojë në një formë tjetër. Edhe pse ai duket se nuk është dorëzuar ende për ca ditë relaksi në plazh.

“Tani unë do shkoj me një vajzë të vogël. Ajo sa të lind në fillim të korrikut do të jetë e vogël dhe nuk e dimë si do të na rrjedhi situata. Por besoj se do të shkojmë disa ditë me pushime”- tha Armaldo.

Maestro, një epitet shumë i dashur që Tenorit të njohur i mbeti pas pjesëmarrjes në Big Brother VIP, gjatë intervistës u përballë edhe me një ftesë surprizë. Të shoqërojë ekipin e “Pushime on Top” në një tur për të zbuluar qytetin e Gramshit, ftesë të cilës ai iu përgjigj pozitivisht.

“Në fakt, Gramshi ka disa pika turistike. Vërtetë është një privilegj që ju po ma kërkoni këtë, sidomos Top Channel që është një televizion i paarritshëm, dhe pse jo me kënaqësi nëse gjejmë kohën dhe momentin e duhur”- tha Armaldo.

Mirëpo krahas këtyre, ka edhe nga ato personazhe si Dea Mishel, e cila për shkak të angazhimeve të shumta e ka të pamundur të shkojë me pushime. Për “Pushime on Top”, Dea shpreson që të mund të shkëputet aty-këtu për disa orë relaksi gjatë fundjavave për në Jugun përrallor të Shqipërisë.

“Jam shumë e zënë me punë këtë periudhë, kështu që shpresoj që të shkëputem fundjavave për në Jugun e Shqipërisë”- tha Dea Mishel.

Nga ana tjetër, Kristi Dragot planifikon të pushojë në Shqipëri, dhe një ndër destinacionet e tij të verës për këtë vit është Palasa.

“Do pushoj në plazhin e Palasës një muaj. Më pas mund të shkoj dy herë në Bruksel, por do shkoj dhe do vijë, nuk do bëj pushime andej. Për pushime vetëm në Shqipëri”- tha Kristi. I pyetur se kush do ta shoqërojë, Kristi tregon se do të jetë Dea dhe Jori. Një treshe e flaktë.

I menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i Jorit. Me atë sjelljen e një vajze rebele që e karakterizon, Jori Delli tha prerë se këtë vit është për 100% Shqipëri, dhe këtë nuk e luan as topi.

“Pushimet do t’i kalojë në Shqipëri 100%, nuk lëviz nga Shqipëria. Më kanë ëmbëlsuar shumë”- tha Jori. E pyetur nëse do t’ia hapte derën një dashurie shqiptare, modelja përgjigjet: “Tani dera nuk është mbyllur sepse unë jam single, por gjithsesi nuk jam as në kërkim. Jam për qejfin tim.”

Dhe në fund, qershia mbi tortë, Olti Curri, i cili mesa duket do t’i luaj fenë këtë verë. Nga Maroku, në Fole Marinë, te Jugu i Francës, Italia dhe në fund plazhet e Greqisë, vera e Olti Currit premton relaks në plotë kuptimin e fjalës.

Megjithatë nuk përfundon këtu. Gazetari ka një këshillë edhe për të rinjtë. Duke qenë se forcimi i statusit financiar kërkon shumë punë dhe përpjekje, Olti Curri nga eksperienca e tij thotë se nuk të gjen gjë nëse bën pushime “të varfra” për një vit.

“E fillova me një javë në Marok, do bëj javën e pushimeve në Fole Marinë, do jem më pas në korrik në Jug të Francës, pastaj dua të bëjë një xhiro në Itali. Këto janë pak a shumë pushimet e mia. Aaa po, harrova Luganon. Do iki edhe në Greqi në fakt.

Unë vij nga Durrësi, kemi bërë plazh gjithmon në Currila, në zonën e Durrësit, dhe kam përshtypjen se me kalimin e moshës, me forcimin e statusit financiar, fillon njeriu dhe pretendon. Por në qoftë se do flasim për të rinjtë, le ti bëjnë këto pushime të “varfra” sepse nuk i gjen asgjë”- tha Curri.

 

Shperndaje ketë postim:

spot_imgspot_img

- PUBLICITET -

Aktualitet

Te tjera
LAJME