Lolita Kupi është lindur në Australi në vitin 1952 nga prindër shqiptarë, të cilët emigruan në tokën e largët në vitin 1950. Jeta e saj si emigrante nuk ishte e lehtë e megjithatë ishin sakrificat e prindërve ato që arritën të rrisnin Lolitën dhe 6 fëmijët e tjerë.
Por dëshira e babait të Lolitës ishte që fëmijët të martoheshin me shqiptarë, rrëfen ajo në “Rudina” në Tv Klan. Pas largimit nga Australia në Kanada, ditën e 28 Nëntorit ajo njohu në Nju Jork burrin e saj. Në fillim ishte mblesëria ajo që i bashkoi, por të dy gjetën te njëri-tjetri shokun e jetës.
Lolita Kupi: Ne jemi martuar me shkuesi në fakt megjithatë ambasada i tha burrit “duhet të dalësh me vajzën e të flisni, ka mbaruar ajo kohë kur shiheshit ditën e martesës”. Dolëm neve, biseduam dhe ai në fakt më tha krejt arsyet pse s’duhet ta merrja: “jam më i vjetër, më i vuajtur, kam pasur një jetë me shumë peripeci”. Unë me thënë të vërtetën, thashë ky s’dashka të më marrë. I thashë nuk do të më marrësh ti mua? “Jo”, tha, “unë dua por duhet të dish se ku po vjen”.
Rudina Magjistari: Sa vite diferencë kishit?
Lolita Kupi: 17, po mua smë dukej ndonjë gjë e madhe në atë kohë se të them të vërtetën babai im e donte shumë dhe unë e vlerësoja shumë opinionin e babait tim dhe kur unë dola me Nderimin, isha 99% e sigurt se ky do ishte fati im.
Bashkëshorti i saj pati dy kushte për Lolitën përpara se të martoheshin.
Lolita Kupi: Më dha dy kushte që xhaxhai, Abaz Kupi dhe nëna kanë gjithmonë të drejtë. Kur je e re, nuk e kupton sa të drejtë kanë për të pasur por megjithatë e pranova se isha rritur me gjyshërit. E dyta ishte, kur të hapet Shqipëria unë do të shkoj në Shqipëri, nëse do të më marrësh mua do vish në Shqipëri, nëse s’do të vish në Shqipëri, gjej fat tjetër./tvklan.al