Nuk u ngjet fare personazheve që shfaqen kudo e gjithandej, as atyre që sa herë dalin nëpër studio e nëpër intervista bëjnë të pamundurën për të treguar anët e tyre më të mira, përkundrazi. Adi Pojana është mësuar të jetë i vërtetë dhe i hapur me publikun, aq më tepër që përvoja e jetës, gabimet që nuk duhet t’i kishte bërë, siç thotë ai, e kanë bërë të fortë, por edhe e kanë stërvitur të mos kërkojë “luksin” nga jeta, por ta gjejë lumturinë te gjërat e vogla dhe të thjeshta – ato që ta mbushin zemrën plot, si përqafimi mallëngjyes e i munguar i një nëne.
Duke folur për prindërit që nuk i jetojnë më e sidomos për nënën, Adi e ka të vështirë ta mbajë nën kontroll dridhjen e zërit, madje as sytë e përlotur nuk i fsheh dot. Megjithatë, ia del që të rrëfejë e të kujtojë mes shumë emocioneve disa prej kujtimeve e pengjeve më të mëdha që i kanë mbetur nga e ëma.
Sot, ndërsa rrëfen që fotografinë e prindërve e puth çdo mëngjes dhe çdo mbrëmje, bën një autokritikë duke i dërguar edhe publikut një mesazh: “I them vetes, po si more idiot, aty e kishe çdo ditë dhe nuk e puthje, tani puth fotografinë në kornizë… Puthini dhe përqafojini prindërit të gjithë ju që i keni, se s’do t’i keni më një ditë…”, tha ai.
Do të bënte gjithçka për lumturinë e së ëmës, siç kujton Adi. Ka shumë pengje që i kanë mbetur prej saj. Por mes shumë sakrificave, ai kujton periudhën e tij më të errët, në të cilën e ëma ishte i vetmi njeri që nuk e la kurrë vetëm. Jo pak, 3 vjet e gjysmë në burg pas abuzimit me drogën, por e ëma ishte ajo që e shpëtoi edhe prej andej.