Luiz Ejlli mbetet pa shtëpi! Rikthimi në ekran sezonin e ardhshëm dhe kontratat e majme që refuzon

Vera ka qenë një sezon i ngjeshur për Luiz Ejllin, që pas përfundimit të “Big Brother”, pak kohë ka për të pushuar. Menjëherë, këngëtari ka nisur me projekte të reja, ku prioritet për të është kënga. Që ditët e para pas përfundimit të “Big Brother”, ai solli këngën e tij të parë dhe që atëherë produksionet e reja vijojnë të vijnë.

Megjithatë, fituesi ka zgjedhur mos të ndalet vetëm te muzika, por të eksperimentojë dhe në zhanerë të tjerë. Mjafton të përmendim filmin “Në Kuadër të Dashurisë”, ku ai luan si protagonist në krah të Olta Gixharit, për të kuptuar sesa seriozisht e ka marrë ai jetën e tij të re.

Që në ditët e para pasi pa popullaritetin që kishte fituar, ai menjëherë vendosi ta vinte jetën e tij në vijë. Gjëja e parë që bëri ishte të kërkonte një shtëpi, pasi ashtu si vetë ishte shprehur jetonte me qera. Ai dhe Kiara, u panë në një nga zonat më luksoze të Tiranës, teksa kërkonin për një shtëpi në zonën e VIP-ave.

Menjëherë, u aludua se lekët e çmimit të madh do të shkonin për të blerë këtë apartament. Por sot që flasim, teksa kanë kaluar më shumë sesa 2 muaj, Luizi ende nuk i ka marrë paratë e fituara në “Big Brother”, ndaj edhe planet e tij për shtëpinë vijojnë të jenë pezull.

Aktualisht, ai dhe Kiara po jetojnë së bashku në shtëpinë e kësaj të fundit, teksa planet për një shtëpi të re janë zhvendosur për pak më vonë, sapo të dy të arrijnë të mbledhin shumën e majme që shtëpia kushton në atë zonë. Shumë është përfolur Luizi për jetën e luksit që bën qëkur doli nga Big Brother, duke folur për kontrata marramendëse, shuma të majme që kërkon për koncerte, por ishte vetë këngëtari, ai që zbuloi se në fakt paratë që merr nga koncertet nuk janë të tijat, por të Top Channel, dhe prej këtyre pagesave ai merr vetëm pjesën e tij.

“Prandaj, kam ardhur në Amerikë për të zgjidhur këtë punë në Wolf Street, se janë duke lëvizur e ke parasysh i ka ato uljet e ngritjet e veta. Ç’është e vërteta, te kjo pjesë unë jam shumë rehat. Pse, se çdo ofertë që më vjen çdo ftesë thjesht ia dërgoj ‘Top’-it dhe i them fol me ‘Top’-in. Unë kam një kontratë me ta, me të cilët kam përqindjet e mia. Unë përqindjet e mia i di, përfitimet e mia i di dhe se si i mbyllin kontratën përfaqësuesit e ‘Top’-it, ajo është punë e tyre dhe përderisa ata mendojnë që me këto lloj çmimesh ose siç flitet lart e poshtë, me gjithë respektin që kam jo që nuk dua të kthej përgjigje se duket sikur arrogancë por për hir të vërtetës njerëzit janë të lirë të flasin gjithçka, jo merr 10 jo merr 20 jo merr 30”, u shpreh ai.

“Çmimet i vendos tjetër kush për mua, unë kam atë përfitimin tim material se është normale edhe jam shumë i kënaqur. Nuk e kisha menduar kurrë”, vazhdoi tutje Ejlli. Ndonëse është këngëtari më i paguar i momenti, Luizi në fakt merr vetëm gjysmën e parave që fiton, pasi pjesa tjetër shkon për “Top Channel”, duke qenë se për 1 vit ai është në menaxhim të kësaj kompanie.

Nga ana tjetër, të shumtë janë edhe bizneset që e kërkojnë për imazh në rrjetet sociale. Këto janë paratë që shkojnë direkt për Luizin, duke zgjedhur me menaxheren e tij se cilën prej tyre do të pranojë. Duke qenë se ai ka një kontratë me një pije energjie, kontratat e tjera që pranon janë të pakta në numër. Megjithatë, edhe për reklamat në “Instagram”-in e tij janë të larta, duke mbajtur postin e personit më të paguar në rrjetet sociale, me plot 5 mijë euro për një postim.

Nga ana tjetër, përherë e më shumë po e shikojmë në ekran, duke marrë pjesë në emisione të ndryshme të “Top Channel”, ku edhe e ka të përcaktuar në kontratë të gjitha emisionet ku ai duhet të marrë pjesë. Prej kohësh, është përfolur se do të jetë ai opinionisti i ardhshëm i “Big Brother 3”, pas largimit të Arbër Hajdarit. Duke qenë se Arbër Hajdari deklaroi më herët se nuk do jetë më opinionist i formatit “reality”, mbase vendin e tij do e zërë këngëtari. Lajmi është në kuadër të thashethemeve dhe asgjë nuk është zyrtare, megjithatë “ku ka tym, do ketë edhe zjarr” e mbase Luizi, i cili nga këngëtar u bë edhe aktor, do jetë edhe një opinionist shumë i mirë.

Nga ajo çfarë kemi mundur të mësojmë është fakti se Kiara është në bisedime për të qenë moderatorja e “Big Brother Fun Club”, duke u kthyer kështu në ekran pas përfundimit të “Kepi i VIP”-ave. Por teksa dyshja është e fokusuar me projekte të reja në biznes edhe në televizion, ka edhe nga ata fansa që nuk i simpatizojnë, sidomos Kiarën. E për këtë fakt, Luizi nuk është kursyer ndaj këtij zërave.

Ai edhe pse është mjaft i angazhuar me projekte të ndryshme, herë pas here gjen pak kohë që të hyjë live në “Instagram” për të bashkëbiseduar me ndjekësit e tij. E kështu ka bërë edhe së fundmi. Gjatë kësaj bisede virtuale me fansat, disa i kanë kujtuar faktin se është duke humbur ndjekës në rrjetet sociale. Lidhur me këtë, këngëtari i njohur u shpreh “se nuk e ka aspak problem”.

Madje, Luizi i ftoi ata që kanë ndonjë gjë për t’i thënë, “t’i dalin përballë e t’i tregojnë se çfarë ju ka bërë ai ose Kiara”.

“E di çfarë kam kuptuar se është pjesa më e bukur e këtij ‘Instagram’-i? Që mundet me e pas gjithkush, mundet me përdor gjithkush, mundet me shkruar gjithkush, edhe fshihet e ke parasysh? Kur nominonim brenda, ju thosha unë ‘jeni lepuj, jeni frikacakë, jeni legena’, kështu ka shumë këtu për hir të së vërtetës.

Shtrihet njëri aty dhe ia fut një koment kot, thotë ‘leni Kiarën, leni Luizin, leni atë’, kot, me mendjen e tij po i prishi ditën. Po janë legena, po ka shumë. Zero do më shkojë ‘Instagram’-i, e di, nuk e kam problem hiç. Unë e di se ato njerëz që do rrinë, janë ato që më duan tamam. Kjo është e rëndësishme. Këtu janë të gjithë të lirë me bërë ‘follow’ ose jo, por ama e di se nëse rrinë 10 vetë, ata më duan me shpirt.

Kështu që nuk e kam hiç problem se ikin se vijnë, është e drejta e tyre. Por, e di shumë mirë se e kam një grup goxha të madh që më duan pa hile, pa interes dhe nuk duan me më parë keq.Për sa kohë i kam ata njerëz, nuk mërzitem. Unë këtu jam, këtu më kanë, si me ‘Instagram’, si pa ‘Instagram’, me Kiarën. Pushka top iu bëftë, në paçin këllqe të vijnë ballë për ballë si burrat, të thonë çfarë të duan. Kaq. Anash, me pas shpine, me profile false, me kështu, nuk merrem hiç me atë pjesë. Hajde si burrë, më dil para e thuaj ça ke, çfarë të kam bërë unë apo Kiara. Se njerëz jemi, edhe mund të kem bërë diçka. Nuk kam thënë kam qenë i kulluar, nuk kam thënë ndonjëherë se kam ndjenjë mes 4 muresh gjithë kohën. Kam pasur një jetë, siç e kemi pasur të gjithë”, u shpreh Luizi.

Shperndaje ketë postim:

spot_imgspot_img

- PUBLICITET -

Aktualitet

Te tjera
LAJME