Reçeli i Rrushit – Si të Përgatisni në Shtëpi Ëmbëlsinë e Stinës

Ideal dhe i shëndetshëm për t’u konsumuar gjatë mëngjeseve por edhe si ëmbëlsirë.

Reçeli i rrushit është një ëmbëlsirë klasike, e ëmbël dhe plot gjallëri. Ai preferohet nga të rritur dhe fëmijë. Ky reçel i shijshëm është ideal për tu konsumuar gjatë mëngjeseve por mund të serviret edhe si një ëmbëlsirë apo gosti ndaj miqve.

Tradita e amvisave në përgatitjen e reçelit është ndër më të njohurat në kuzhinën shqiptare, e trashëguar nga gjyshet dhe nënat brez pas brezi.

Reçeli i Rrushit është fantastik jo vetëm për ëmbëlsinë natyrale por edhe për vlerat e mira shëndetësore dhe kurative që ai ofron për organizmin.

Në këtë artikull të AgroWeb.org do të mësoni një recetë shumë të thjeshtë për përgatitjen e këtij reçeli në kushtet e shtëpisë.
Si ta përgatisni reçelin e rrushit krejt lehtë

Së pari, duhet të lani rrushin dhe të hiqni lëkurat e tyre. Kjo mund të bëhet duke shtrydhur kokrrat me butësi që të mundësoni daljen e tulit. Kokrrat e tulit hidhini në një tenxhere.

Mos u shqetësoni nëse pjesëza të tulit ngelen të ngjitura në lëkurë, sepse edhe këto të fundit kanë vend në këtë recetë.

Nëse hasni vështirësi në ndarjen e lëkurës nga tuli, atëherë zhytini në ujë të valuar për 30 sekonda dhe lëkura do të shqitet menjëherë.

Mblidhini të gjitha lëkurat dhe futini në një mikser. Përziejini deri sa të formojnë një pure të cilën do ta shtoni në tenxheren ku keni hedhur tulin e kokrrave të rrushit.

Lërini të ziejnë së bashku për 20 minuta duke i përzier rregullisht. Pas zierjes, hiqeni tenxheren nga zjarri dhe salcën e rrushit kullojeni në një kullesë.

Sigurohuni që pjesa e tulit të mos humbasë dhe hidhni tutje farat dhe mbetjet e padëshiruara.

E gjithë pureja e ngrohtë e rrushit duhet rikthyer në tenxhere dhe përzierë me sheqerin. Përziejini së bashku rregullisht duke përshpejtuar shkrirjen e sheqerit.

Pasi pureja e rrushit ka nisur të vlojë, atëherë lëreni të ziejë për 15 minuta dhe sigurohuni që masa nuk ngjitet në fund të tenxheres.

Më pas mund të masni lidhjen e duhur të reçelit duke hedhur një majë luge në një pjatë të ngrirë.

Nëse pureja është e lëngshme dhe kullon atëherë ka nevojë për më shumë zierje. Nëse qëndron fort në pjatë, atëherë është gati.

Kontrolloni nëse në sipërfaqe është formuar një shtresë e trashë e cila nëse e prek me dorë rrudhet. Në të kundërt ziejeni për pesë minuta të tjera dhe provojeni sërish.

Lëreni reçelin të ftohet për disa minuta dhe më pas hidheni në kavanozë qelqi të sterilizuar. Sigurohuni që kapakët të jenë të puthitur mirë dhe kavanozët të jenë të mbyllur plotësisht.
Përbërësit

2 kg rrush (të kuq, të bardhë ose të zinj. Varieteti Concord i këtij të fundit është ideal për përgatitjen e reçelit)
1 kg sheqer të bardhë
1 limon i madh

Reçeli i Rrushit mund të përdoret edhe në përgatitjen e ëmbëlsirave të ndryshme. /AgroWeb.org

Shperndaje ketë postim:

spot_imgspot_img

- PUBLICITET -

Aktualitet

Te tjera
LAJME