Aksi i ri rrugor Shkodër-Velipojë i inaguruar disa vite më parë megjithëse ka shkurtuar shumë distancën për në plazhin e Velipojës duke ndihmuar turizmin, për banorët e fshatrave rruga është jashtë çdo lloj kushti sigurie sidomos gjatë orëve të natës që nuk ka ndriçim. Hyrje-daljet mes tyre dhjetëra të paligjshme të krijuara nga banorët, janë të shumta çka përbën rrezik të lartë për vetë ata.
Jashtë kameras banorët thonë se e kanë të vështirë të shkojnë në tokat bujqësore apo të marrin prodhimet e tyre, pasi mungojnë nënkalimet ndërsa sipas tyre edhe rruga dytësore që iu premtua nuk u realizua.
Nga ana tjetër dëmtimet e mbrojtëseve anësore si pasojë e përplasjes së automjeteve konstatohen në disa segmente kryesisht nëpër kthesa aty ku mjetet e kanë të pamundur të ndalojnë shpejtësinë në momentin e duhur dhe si shkak përplasen me mbrojtëset metalike në të dy anët e rrugës.Përballë kësaj situate që përkeqësohet nga dita në ditë institucionet akoma nuk kanë ndërhyrë për të investuar në mirëmbajtjen e investimeve publike në këtë rrugë.