Vala e fundit e infektimeve nga COVID është reflektuar më rritje të numrit të shtrimeve në Spitalin Infektiv në QSUT.
Shefja e këtij spitali Prof. Najada Çomo në një intervistë për RTSH tha se mes të shtruarve ka mosha të reja, gra shtatzëna dhe të sëmurë kronikë mbi 65 vjeç të cilët kanë përjetuar forma të rënda klinike të sëmundjes
“Rreth tre javë më parë kishim të shtruar një grua shtatzënë në muajin e tetë të shtatzanisë të infektuar me COVID. Gjëndja e saj ishtë shumë delikate. U desh që mjekët obstetër gjinekologë të ndërhynin duke u këshilluar dhe ndjekur nga ekipet tona të infeksionistëve për të ndërhyrë më herët në lindjen e parakohshme të fëmijës. Fatmirësisht gruaja shpëtoi bashkë më fëmijën dhe gjëndja e tyre është e mirë por ndërhyrja që ajo pësoi ishte shumë tronditëse“ tha Prof. Najada Çomo.
Profesoreshë Como thotë se covidi ndërlikon shumë gjendjen shëndetësore të grupeve në rrisk.
“Nëse ti je duke bërë kimioterapi, për një sëmundje që ty të ka prekur prej muajsh apo prej vitesh, hyrja e covidit në mes cënon shëndetin, cënon mjekimin e atij personi, sepse e sposton në kohë dhe natyrisht dy sëmundje bashkë, apo më tepër rëndojnë më shumë situatën e personit për të cilën ai është duke mjekuar pjesën kronikë”
Por të gjithë të shtruarit në Spitalin Infektiv janë pothuaje të pavaksinuar. Prof. Najada Çomo apelon grupet e rrezikuara për vaksinim pa hezitim.
” 99 % e të shtruarve janë të pavaksinuar. Kemi mosha shumë të reja, 20, 25, 30 vjeçare. Unë do ti këshilloja të gjithë grupet në rrisk të vaksinohen me vaksinën që tashmë është një dozë e vetme e që shërben jo më si dozë kujtese, por si një vaksinim i ri për kohën dhe variantet që po qarkullojnë“ tha Prof. Najada Çomo.