Depozitimi i mbetjeve në bregun e lumit Kir vijon edhe pas shumë kërkesave të banorëve për të frenuar këtë fenomen i cili ka shkaktuar dëme të mëdha mjedisore.
Mbetjet përveçse kanë ndryshuar shtratin e lumit Kir, tashmë janë kthyer në një problem serioz për shëndetin e banorëve pasi mund të kthehen edhe në burim infeksioni.
Personat e pandërgjegjshëm zgjedhin lumin për të hedhur mbeturinat. Gjithsesi ndëshkimi nga ana e institucioneve ka munguar qoftë për mospastrimin e territorit por edhe për ata qytetarë që hedhin mbetjet në lumin Kiri.
Banorët që jetojnë në afërsi të brigjeve të ndotura të Kirit thonë se depozitimi i mbetjeve është një fenomen që vijon prej vitesh dhe askush nuk po përpiqet për ta frenuar. Banorët e zonës, prej vitesh kërkojnë pastrimin e këtyre mbetjeve. Por pavarësisht thirrjeve të bëra përmes medias, akoma nuk është marrë një aksion i mirëfilltë pastrimi në shtratin e lumit Kir.