“Parku Kombëtar i Alpeve të Shqipërisë në muajin gusht priti mbi 130 mijë vizitorë, të cilët zgjodhën të udhëtonin drejt majave madhështore, luginave si parajsa, shtigjeve e lumenjve duke konfirmuar se turizmi malor është në ditët e tij më të mira dhe harta e atraksioneve për t’u zbuluar sa vjen e zgjerohet”.
Me këtë status në rrjetin social Facebook e nis Ministrja e Turizmit dhe e Mjedisit Mirela Kumbaro përshkrimin e saj për bukurinë e Alpeve të veriut shoqëruar me evidencën statistikore për muajin që lamë pas, gushtin.
Alpet ndër vite kanë tërhequr njerëz të shumtë madje ka patur raste kur ato edhe pse kanë shkelur për herë të parë kanë vendosur të mos i braktisin më kurrë si rasti i francezes Martine Wolf që prej 14 vitesh ajo jeton mes Alpeve, është e dashuruar me to ndaj edhe i promovon në mënyrë të vazhdueshme ndërsa bën apel për mbrojtjen e kësaj mrekullie natyrore.Alpet Shqiptare shtrihen në veri të lumit Drin dhe në perëndim të rrjedhjes së poshtme të lumit Valbona (degë e Drinit). Ato përfshijnë pjesën veriore të vendit dhe zënë rreth 8 % të tij. Lartësia mesatare e tyre mbi nivelin e detit arrin në 1500 m. Këtu ndodhen shumica e majave të Shqipërisë me lartësi mbi 2000 m.