Një zjarr ka përfshirë fshatin Kaprre, pranë Syrit të Kaltër, duke u përhapur me shpejtësi dhe duke rrezikuar jetën dhe pronat e banorëve. Banorët e zonës bëjnë thirrje për ndërhyrje të menjëhershme, si nga ajri ashtu edhe nga forcat tokësore. Ekziston një rrezik i lartë që zjarri të shkatërrojë banesat e vjetra të banorëve të fshatit, ndërsa dëmet në pyje mund të jenë të konsiderueshme nëse flakët vazhdojnë të përhapen.
Nëse nuk ndërhyhet shpejt, zjarri mund të zbresë deri në zonën e bujtinave dhe banesave, e cila në këtë periudhë është e mbushur me turistë të huaj dhe vizitorë vendas. Banorët, të shqetësuar për situatën, kërkojnë që institucionet përgjegjëse të marrin masa urgjente për të shuar flakët dhe për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të zjarrit.